Prokuroria e Shkodrës sekuestroi tre automjete, tre motorë dhe llogari bankare të një personi që rezulton i dënuar nga autoritetet franceze për trafik droge. Organi i akuzës dyshon se këto pasuri, Brigeno Binoshaj dhe familja e tij i kanë vënë përmes aktivitetit kriminal e nuk justifikonin burimin e tyre.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, bazuar në ligjin nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, u sekuestruan automjetet dhe mjetet motorike të shtetasit B.B. dhe familjarëve të tij.
Nga hetimet rezultoi se, shtetasi B.B. ka qenë dënuar më parë nga autoritetet franceze për veprën penale te “Trafikimit të lëndëve narkotike” të parashikuar nga neni 283/a të Kodit Penal dhe pas verifikimeve përkatëse kanë ekzistuar dyshime se ky shtetas dhe familjarët e tij zotërojnë pasuri apo të ardhura, shpërpjesëtimorë, në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtari të ligjshme të deklaruara dhe as nuk përligjen prej tyre, njofton Prokuroria e Shkodrës.
Lista me pasuritë e sekuestruara
-Automjet “Mercedes Benz”, Modeli S600L në emër të Brigeno Binoshajt
-Motorr “Piaggio”, Modeli Gilera, në emër të Brigeno Binoshajt
-Motorr “Yamaha”, Modeli MT09, në emër të shtetasit Brigeno Binoshaj
-Automjet “Volkswagen”, Modeli Golf 2.0 TDI, në emër të shtetasit G.B;
-Motorr “Yamaha”, Modeli YP250R, në emër të shtetasit G.B;
-Automjet “Lancia”, Modeli Y, në emër të shtetases E.B;
-Të gjitha llogaritë bankare në emër të Brigeno Binoshajt e familjarëve