Rajoni

Shpërthime në Mitrovicën e Veriut, nuk ka të lënduar!

Shpërthime në Mitrovicën e Veriut, nuk ka të lënduar e dëme materiale. Policia e Kosovës tha se në orët e vona të mbrëmjes, ndodhën dy të tilla. Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani foli për Radion Evropa e Lirë:

Ka pasur detonime, mund të jenë shok-bomba ose fishekzjarrë. Nuk ka raportime për dëme apo të lënduar.

Elshani shtoi se megjithatë, në Mitrovicën e Veriut e në komunat e tjera në veri, situata ishte e qetë gjatë natës e vazhdon të jetë kështu edhe sot. Më herët këtë muaj janë raportuar sulme me shok-bomba në afërsi të stacioneve policore në Mitrovicën e Veriut e në Zveçan.

Këto sulme po ndodhin në kohën kur janë rritur tensionet në veriun e Kosovës me shumicë serbe.

Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve. Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përplasën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga konfrontimet u lënduan dhjetëra persona.

Për ta qetësuar situatën në veri, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme, Josep Borrell, dje ftoi në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç. U njoftua se ata ranë dakord lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Nuk pati një takim të përbashkët Kurti-Vuçiç, por secili prej tyre takoi zyrtarët e lartë të BE-së në Bruksel.

Borrell vuri në dukje se identifikuan rrugë të mundshme përpara, por vuri në dukje se palët duhet t’iu përmbahen detyrimeve që kanë.

Takimet u fokusuan në qetësimin e situatës në terren, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen palët në dialog e t’i zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit.