Bota

Shpresa për negociata armëpushimi, por vazhdojnë luftimet në Ukrainë!

Forcat ruse dhe ukrainase vazhdojnë luftimet në Ukrainën lindore dhe atë jugore, ndërsa raporti nga një media amerikane, shton shpresat se Kievi mund ta mbyllë vitin me bisedime për paqe, 15 muaj pas pushtimit të paprovokuar nga Rusia.

Në raportin e publikuar sot, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës thotë se një ditë më parë, forcat ukrainase u përfshinë në rreth 20 beteja kundër trupave ruse.

Forcat ukrainase mposhtën ofensivën ruse në zonat përreth Lymanit, Bahmutit, Avdijivkas e Maryinskas. Pati sulme të mëdha ajrore nga forcat e Rusisë në rajonet lindore të Luhanskut e Donjeckut, si dhe në ato jugore  Zaporizhja e Herson. Përpjekjet kryesore të Moskës në jug të vendit kanë për qëllim parandalimin e avancimit të trupave ukrainase.

Dje, “The Washington Post” raportoi se drejtori i CIA-s, William Burns vizitoi Ukrainën për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky e zyrtarë të Inteligjencës, për të dëgjuar “strategjinë e tyre ambicioze për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia dhe për të hapur negociatat e armëpushimit me Moskën deri në fund të vitit”.

Udhëtimi për të cilin nuk dihej më parë, përkon me një kundërofensivë të shumëpritur. Zelensky e përshkroi si “më të ngadaltë nga sa pritej”. Por, zyrtarët ukrainas pretendojnë se kjo kundërofensivë ka zhvendosur “iniciativën strategjike” në luftën në Ukrainë.

Kievi bën të ditur se ende nuk e ka dislokuar pjesën më të madhe të mjeteve ushtarake të rënda e të forcave të stërvitura nga Perëndimi.

Udhëtimi i Burns-it erdhi pak përpara rebelimit të dështuar më 24 qershor nga udhëheqësi i grupit mercenar Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe luftëtarët e tij. Ata ishin pjesë thelbësore e pushtimit rus të Ukrainës, bashkë me qindra mijëra trupa të rregullta e të rekrutuara në ushtrinë ruse.

Prigozhinit dhe një numri të panjohur mercenarësh u është ofruar strehim në Bjellorusi. Kjo ka bërë që Zelensky të shtojë mbrojtjen e Ukrainës përgjatë kufirit të saj verior.

Këtë herë, Burns udhëtoi për t’u zotuar për angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-ve ndaj përpjekjeve të mbrojtjes së Ukrainës.

“The Washington Post” dhe të tjera media raportuan se pas kryengritjes së Prigozhinit, Burns telefonoi shefin rus të Inteligjencës, Sergei Naryshkin, për t’i thënë Moskës se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë rol në këtë kryengritje.