Bota

Shtimi i resorteve luksoze, Portugalia forcon rregullat për aksesin në plazhe!

Qeveria e Portugalisë, si dhe Agjencia Portugeze për Mjedisin (APA) premtuan forcimin e zbatimit të rregullave për aksesin publik përgjatë një segmenti të njohur 45-kilometra të vijës bregdetare, ku ndërtimi i shpejtë i resorteve luksoze po ngre shqetësime për rritjen e çmimeve të banesave, kufizimin e aksesit në plazhe dhe humbjen e identitetit lokal.

Zona si Melides, Comporta dhe Troia janë shndërruar nga vende kampingu e fshatra peshkimi në enklava luksoze që tërheqin investitorë ndërkombëtarë dhe turistë të pasur. Kjo ka sjellë rritje të ndjeshme të kostove të jetesës dhe kufizim të aksesit në hapësira publike, veçanërisht plazhe.

Pas inspektimit të 22 plazheve në këtë segment bregdetar, APA konstatoi se nëntë prej tyre kishin kufizime, dy me hyrje të kontrolluar dhe shtatë të bllokuara nga prona private. Në disa raste, qasja është e mundur vetëm përmes zonave të kontrolluara nga resorte, me kërkesë për dokument identifikimi ose rrugë alternative të vështira, ndërkohë që mungesa e parkimeve e vështirëson edhe më tej aksesin.

Një nga plazhet e prekur, Galé-Fontainhas është i aksesueshëm vetëm përmes resortit Costa Terra, në pronësi të investitorit amerikan Mike Meldman. Resorti përfshin ambiente luksoze, fusha sportive private dhe kopshte organike. Ministrja e Mjedisit njoftoi se asnjë zhvillim i ri turistik nuk do të miratohet në vijën bregdetare të Portugalisë kontinentale, pa garantuar më parë akses publik në plazh.

Ndikimi te komuniteti lokal

Në Comporta, një destinacion turistik gjithnjë e më i shtrenjtë, përdorimi i gjuhëve të huaja në rrugë dhe rritja e çmimeve kanë zbehur praninë e komunitetit vendas. Shërbimet dhe ndërtimet i adresohen gjithnjë e më shumë një publiku elitar, ndërsa kostot e jetesës janë bërë të papërballueshme për banorët.

Punonjës të zonës përmendin çmime të majme për akomodim, mungesë qasjeje të lirë në plazhe dhe tarifa të larta për shërbime bazë si parkimi dhe qiraja e çadrave. Në disa raste, çmimet për një set çadër dhe shezlongë arrijnë deri në 200 euro në ditë.

Ministria ka premtuar gjithashtu se do të rregullojë çmimet e produkteve dhe shërbimeve në plazhe, përfshirë çadrat, ujin dhe kafenë.

Ndryshimet shqetësojnë edhe turistët

Disa vizitorë e vënë në dyshim vlerën e përvojës në këto zona për shkak të kostove të larta. Shtëpitë me qira arrijnë deri në 1,000 euro nata, duke e bërë zonën të papërballueshme edhe për turistët me të ardhura mesatare.

Stilisti Christian Louboutin, vizitor i hershëm i Comportës, është zhvendosur më në jug në Melides për t’i shpëtuar mbingarkesës dhe zhvillimit të tepërt. Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së autenticitetit të rajonit dhe se Melides nuk duhet të ndjekë modelin e destinacioneve si Saint-Tropez.

Pavarësisht shqetësimeve publike, përfshirë një peticion me mbi 10,000 firma që kërkonte mbrojtje më të fortë për Gadishullin e Troias, parlamenti portugez e rrëzoi kërkesën. Aktivistët lokalë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë presionin ndaj autoriteteve dhe kanë planifikuar një protestë më 27 korrik në plazhin e Melides gjatë maratonës “Atlantic UltraMarathon”. / shqip.al