Fatkeqësisht është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, diva e muzikës italiane, Ornella Vanoni pas një arresti kardiocirkulator. “Jam një grua e lirë. Nuk jam lënë kurrë të më vënë korniza, nga askush dhe asgjë. Dhe e kam paguar gjithçka me interes”. Kështu kishte thënë më 22 shtator, ditën e 91-vjetorit të saj. Ornella Vanoni lindi në Milano më 22 shtator 1934, në një familje të pasur. Në vitin 1953 u regjistrua në Akademinë e Artit Dramatik të Piccolo Teatro të Giorgio Strehler-it.
Aty u formua artistikisht. Pikërisht falë teatrit nisi të bëhej e njohur jo vetëm si aktore, por edhe për interpretimet e saj muzikore. Giorgio Strehler e donte me çdo kusht në teatër dhe u dashurua marrëzisht me të. Në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”, ajo ka folur edhe për përfundimin e një rruge të gjatë jetësore të mbushur me suksese profesionale, dashuri, trishtim dhe gëzim.
Nuk kam frikë nga vdekja. Do ta kuptoj kur të jetë koha për t’u larguar. Do të jem e padobishme për jetën dhe jeta do të jetë e kotë për mua. Nuk dua të bëhem si tezja ime që jetoi 107 vjeçe. Ishte e mundimshme, mendja e saj ishte mirë, por trupi shumë i dobët. Ajo shihte tavanin dhe fliste me vet: “Zot, ma merr jetën”. A nuk ka eutanazi në Itali? Nëse nuk ka, atëherë mund të shpiket. Si do doja të më kujtonin njerëzit? I kam bërë thirrje krye bashkiakut Sala që të më kushtojë vetëm një shtrat lulesh në qendër. Por ama me një kusht, kryebashkiaku nuk duhet të presë që unë të vdes, e doja tani që jam gjallë. Do doja shumë të kujdesesha vetë për lulet ku do të dergjet trupi im. Dua të mbjellë lule dhe domate.