Health & Beauty

Si po e lufton shkenca rezistencën në rritje ndaj barnave?

Rezistenca ndaj barnave antimikrobiale (AMR) po kërcënon miliona jetë çdo vit dhe parashikimet tregojnë se deri në mes të këtij shekulli mund të shkaktojë 10 milion vdekje në vit. Përballë kësaj sfide globale, studiuesit po zhvillojnë një gamë të gjerë zgjidhjesh, duke përfshirë barna të reja, terapitë biologjike dhe teknologji inovative që mund të ndryshojnë mënyrën se si trajtohen sëmundjet infektive.

Një rishikim i fundit i publikuar në British Journal of Biomedical Science përmbledh qasjet terapeutike që janë duke u zhvilluar për të luftuar AMR. Strategjitë përfshijnë përdorimin e antibiotikëve të rinj, vaksinat, terapitë me bakteriofagë, imunoterapitë, terapitë fotodinamike dhe sonodinamike, trajtimet me oksid nitrik, përdorimin e nanomaterialeve, si dhe teknologjitë ndihmëse si inteligjenca artificiale dhe sistemet Organ-on-a-Chip.

Gjatë një dekade, vetëm 20 antibiotikë, katër barna antibakterialë jo-tradicionalë dhe shtatë kombinime beta-laktam/beta-laktamazë janë miratuar. Nga këta, disa barna të klasës së parë si Gepotidacin dhe Lefamulina kanë mekanizma veprimi të veçantë që synojnë proteinën ribozomale ose replikimin e ADN-së, duke ofruar alternativa ndaj infeksioneve rezistente.

Përveç antibiotikëve, terapitë e bazuara në peptide antimikrobiale (AMPs) dhe oligonukleotidet antibakteriale po studiohen për efektet e tyre ndaj baktereve rezistente dhe modulimin e përgjigjes imune. Për shembull, Zosurabalpin është një peptid makrociklik që synon Acinetobacter baumannii dhe pritet të hyjë në fazën 3 të provave klinike.

Ndërkaq, një zbulim i shkencor nga Rumania ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar; baktere të ruajtura për rreth 5 mijë vjet nën akull janë gjetur të jenë rezistente ndaj antibiotikëve modernë. Studiuesit kanë izoluar një variant të bakterit Psychrobacter SC65A.3 në Shpellën e Akullit Scarișoara, një nga shpellat më të mëdha të akullit në Evropë, e cila ruan një bllok akulli mbi 13 mijë vjeçar.

Bakteret u gjetën të ruajtura nën një shtresë akulli mijëravjeçare dhe sipas studimit, ato kanë zhvilluar mekanizma mbijetese në kushte ekstreme, si temperatura shumë të ulëta dhe mungesa e ushqimit. Ajo që i habiti shkencëtarët ishte fakti se ky variant i lashtë rezultoi rezistent ndaj dhjetë antibiotikëve modernë nga tetë klasa të ndryshme, të cilët përdoren sot gjerësisht në mjekësi.