Një zbulim i shkencor nga Rumania ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar; baktere të ruajtura për rreth 5 mijë vjet nën akull janë gjetur të jenë rezistente ndaj antibiotikëve modernë. Studiuesit kanë izoluar një variant të bakterit Psychrobacter SC65A.3 në Shpellën e Akullit Scarișoara, një nga shpellat më të mëdha të akullit në Evropë, e cila ruan një bllok akulli mbi 13 mijë vjeçar.
Bakteret u gjetën të ruajtura nën një shtresë akulli mijëravjeçare dhe sipas studimit, ato kanë zhvilluar mekanizma mbijetese në kushte ekstreme, si temperatura shumë të ulëta dhe mungesa e ushqimit. Ajo që i habiti shkencëtarët ishte fakti se ky variant i lashtë rezultoi rezistent ndaj dhjetë antibiotikëve modernë nga tetë klasa të ndryshme, të cilët përdoren sot gjerësisht në mjekësi.
Sipas Cristina Purcarea, autore e studimit dhe shkencëtare në Institutin e Biologjisë të Akademisë Rumune, ky bakter, pavarësisht origjinës së tij shumë të vjetër, mbart mbi 100 gjene të lidhura me rezistencën ndaj antibiotikëve. Kjo tregon se rezistenca antimikrobike nuk është vetëm pasojë e përdorimit modern të antibiotikëve, por një fenomen natyror që ka ekzistuar shumë kohë përpara se njeriu të zhvillonte këto barna.
Ndërkaq, inteligjenca artificiale po hap një fazë të re në luftën kundër superbaktereve rezistente ndaj antibiotikëve, edhe pse përparimet premtuese përplasen me mungesën e investimeve dhe sfidat e komercializimit. Në tetor, Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëroi se rezistenca ndaj antibiotikëve është rritur deri në 15 përqind çdo vit midis 2018 dhe 2023. Në vitin 2023, një në gjashtë infeksione të zakonshme bakteriale nuk është trajtuar me sukses nga antibiotikët.
Salmonela, për shembull, po shfaq një rezistencë në rritje, kryesisht si pasojë e përdorimit të antibiotikëve në kafshë. Infeksionet rezistente mund të jenë fatale në 15–20 për qind të rasteve, ndërsa për personat që jetojnë me HIV, rreziku është edhe më i lartë, raportoi Financial Times. Pandemia e Covid-19 e përkeqësoi ndjeshëm situatën: sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, infeksionet rezistente në spitale u rritën me 20 përqind gjatë pandemisë dhe mbetën të larta edhe më vonë.