Qoftë në një ballkon në zemër të qytetit, një tarracë me pamje nga deti apo një zonë luksoze pranë pishinës, një tarracë nuk është thjesht “hapësirë e jashtme”, por një mundësi për të shprehur stilin tuaj unik jashtë mureve të shtëpisë. Katër ekspertë të njohur të dizajnit të brendshëm ndajnë këshillat e tyre më të mira për të krijuar një tarracë me stil, qoftë duke synuar atmosferën mesdhetare të pushimeve apo një rrjedhë harmonike me ambientet e brendshme.
Shkaktoni ndjesinë e udhëtimit
“Tarraca ime ideale do të shikonte nga deti dhe do të kishte një ndjesi romantike dhe ëndërrimtare, si ato që sheh në Bregun Amalfit,” thotë Claire Sá, drejtore e studios së dizajnit De Rosee Sa. “Jam e dashuruar me mobiliet e jashtme prej hekuri të punuar, sidomos ato franceze të viteve ’50 dhe ’60. Jastëkë me vija, shumë vazo terrakote dhe çadra ngjyrash të ndezura, do të ishin elementët kryesorë.”
Sipas saj, frymëzimi vjen nga tarracat që shtrihen nëpër rivierën italiane, me kangjellat e holla prej hekuri dhe pamjet mahnitëse. Për ta rikrijuar këtë stil, përfshini mobilie të jashtme me detaje të punuara dhe elemente me vija klasike, një simbol i përhershëm i dizajnit të hapësirave të jashtme.
Bëhuni të guximshëm me bimët
“Bimët i japin jetë dhe butësi çdo hapësire, menjëherë krijojnë një ndjesi të freskët dhe mikpritëse,” thotë dizajneri Mark D. Sikes. “Një topiare e thjeshtë, një fier i harlisur apo një palmë në një vazo klasike, janë gjithmonë zgjedhje të sigurta.”
Charlotte Peake shton: “Përdorni vazo të përmasave të ndryshme për të krijuar diversitet vizual dhe sigurohuni që të zgjidhni bimë që përshtaten me dritën dhe klimën e tarracës suaj. Nëse doni një ndryshim të menjëhershëm, blini atë bimë të madhe që gjithmonë keni dëshiruar, në një vazo terrakote. Unë veçanërisht e dua jasminin për aromën magjepsëse që lëshon në verë.”

Ëndërroni përtej hapësirës aktuale
“Nëse funksionaliteti nuk do të ishte problem, tarraca ime ëndërr do të përfshinte një pishinë, një hapësirë ngrënieje dhe gatimi jashtë, si dhe një kuzhinë të mbuluar për ditët me shi,” thotë Claire Sá. “Një ‘pool house’ me banjë të plotë dhe hapësira magazinimi do të ishte gjithashtu ideal.”

Nxisni ëndrrën tuaj, kudo që jetoni
“Jetojmë në Londër, por kemi bërë gjithçka që të sjellim një copëz të jetesës rurale që ëndërrojmë,” thotë Charlotte Buchanan, bashkëthemeluese e Buchanan Studio. “Kemi një zjarr të hapur për gatim dhe një kuzhinë të vogël të jashtme. Adhurojmë të hamë jashtë, gjatë gjithë vitit, ndaj kemi ndërtuar një çati të fortë dhe ‘mure’ prej kanavace që mbështillen në verë dhe lëshohen në dimër, duke na lejuar ta shijojmë tarracën në çdo stinë. Kemi vendosur gjithashtu ngrohëse të jashtme dhe shumë qilima për netët më të freskëta.”
Sillni brendësinë jashtë
“Na pëlqen të zhbëjmë kufirin mes brendësisë dhe hapësirës së jashtme,” shton Buchanan. “Kjo do të thotë shumë jastëkë të lirshëm, materiale natyrale si liri dhe pse jo edhe një kolltuk komod jashtë. Ne gjithashtu dekorohemi muret si në një dhomë – me pasqyra apo edhe piktura, të gjetura në tregje antike. Tarraca duhet të ndihet intime dhe relaksuese, me shumë qirinj, ndriçim të butë dhe altoparlantë për muzikë ambientale.”

Krijoni një oaz qetësie dhe harmonie
“Të gjitha shtëpitë duhet të jenë një strehë paqeje dhe tarracat janë shprehja më e pastër e kësaj,” thotë Sarah Peake nga Studio Peake. “Ndryshe nga dhomat funksionale si kuzhinat apo banjat, tarracat nuk kanë nevojë të kenë funksione të caktuara. Ato janë për t’u çlodhur, ndaj shmangni rrëmujën dhe zgjidhni vetëm atë që sjell qetësi.”
Mos harroni dyshemenë dhe materialet bazë
“Elementët arkitektonikë dhe materialet e forta janë kyçe, ato duhet të duken sikur kanë qenë gjithmonë aty,” shton Peake. “Zgjidhni pllaka që tregojnë histori si graniti i ricikluar apo guri vendas. Jam frymëzuar nga dyshemetë natyrale me motive elegante që pashë në shfaqjen Hermès në Javën e Dizajnit në Milano. E kombinoj me mobilie kopshti me linja moderne, ky kontrast midis të lashtës dhe modernes krijon një estetikë të veçantë.”