Health & Beauty

Si ta kuptoni nëse ju kanë sulmuar parazitët e zorrëve…

Parazitët e zorrëve, janë infeksione shumë të shpeshta, të cilat mund t’i ndodhin gjithkujt. Megjithatë, faktorë të caktuar shtojnë rrezikun, siç janë noti në ujë të ndotur, uji i pijshëm i pafiltruar dhe higjiena e keqe. Parazitët e zorrëve shërohen relativisht lehtë me ndihmën e barnave, mirëpo me shtimin e higjienës mund të pengohet përhapja e tyre. Personat me parazitë të zorrëve mund të përjetojnë ndryshime të tretjes.

Nëse fjala është për numër të madh parazitësh, zorrët mund të jenë të bllokuara, gjë që mund të shkaktojë kapsllëkun. Gjithashtu mund të shfaqet edhe diarreja, me prani të gjakut. Infeksioni mund të shkaktojë dhembje dhe ngërçe në zonën e barkut. Gjithashtu mund të shkaktojnë dhembje në muskuj dhe dobësim, kur parazitët lëvizin nëpër trup. Personat me këtë problem mund të kenë reaksione alergjike në lëkurë siç janë ënjtja ose skuqja.

Infeksioni mund të shkaktojë të kruar përreth anusit, posaçërisht natën. Femrat e infektuara mund të kenë të kruar dhe dhembje në zonën e gjenitaleve dhe të traktit urinar, ndërsa infeksionet e rënda mund të çojnë deri te inflamacioni i komblikut. Të infektuarit me Ascaris mund të kenë vështirësi me frymëmarrje. Nëse paraziti sulmon mushkëritë, i sëmuri mund të ketë sulme të shpeshta të kollës. Mund të ndihet edhe dhembje te frymëmarrja e thellë dhe te frymëmarrja me rastin e aktiviteteve fizike.

Fëmijët e vegjël të infektuar me Ascaris mund të kenë probleme me rritje dhe zhvillim. Të rriturit e infektuar gjithashtu mund të humbin peshë. Parazitët e zorrëve mund të pengohen me pirje të ujit të filtruar, me kujdesin e higjienës, posaçërisht pas kontaktit me jashtëqitjen. Infeksionet shërohen me ilaçe të përshkruara nga mjeku dhe është me rëndësi kujdesi për pastërtinë e peshqirëve, çarçafëve dhe rrobave me të cilat të infektuarit bien në kontakt.