Me nisjen e stinës së gripit në tetor, virozat përhapen më shpejt, duke prekur më shumë fëmijët, sidomos ata që frekuentojnë kopshtet dhe shkollat.
Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë disa masa të thjeshta, por efikase, për të mbrojtur të vegjlit gjatë muajve të ftohtë.
Ushqyerje e shëndetshme
Dieta duhet të jetë e pasur me fruta dhe perime, veçanërisht ato që përmbajnë vitaminë C, si agrumet, kivi dhe brokoli. Vitaminat natyrale ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar më shumë se suplementet.
Hidratimi
Fëmijët duhet të konsumojnë lëngje të mjaftueshme, përfshirë çajra të ngrohtë, supe dhe lëngje frutash, për të mbajtur rrugët e frymëmarrjes të lagështa dhe për të ndihmuar largimin e toksinave nga trupi.
Gjumi i mjaftueshëm
Orët e gjumit janë thelbësore për imunitetin. Vendosja e një rutine të qëndrueshme dhe gjumi herët ndihmojnë fëmijët të qëndrojnë më të shëndetshëm.
Aktiviteti fizik dhe ajri i pastër
Lojërat dhe aktiviteti fizik jashtë shtëpisë ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar dhe përmirësojnë qarkullimin e gjakut.
Higjiena personale
Larja e shpeshtë e duarve dhe shmangia e prekjes së fytyrës me duar të papastra janë thelbësore. Ajrosja e rregullt e ambientit ndihmon gjithashtu në parandalimin e përhapjes së mikrobeve.
Vaksina e gripit
Për fëmijët mbi 6 muaj, vaksina kundër gripit rekomandohet si një masë efikase parandaluese. Konsultimi me mjekun është i rëndësishëm për të përcaktuar nevojën dhe kohën e vaksinimit.
Duke ndjekur këto këshilla të thjeshta, prindërit mund të ndihmojnë fëmijët e tyre të kalojnë stinën e gripit të shëndetshëm dhe të mbrojtur nga infeksionet.