Travel

Si të planifikoni pushime magjike në Mallorca?

Ishulli më i madh i Balearëve, Mallorca, ka magjepsur prej kohësh vizitorët dhe vendasit me plazhet me rërë të artë, gjiret me ujëra të kristalta, malet e ashpra dhe peizazhin urban plot gjallëri. Gazetarja Katie Berrington pyeti ekspertët e pesë prej hoteleve më mbresëlënëse të ishullit për të ndarë sekretet e tyre për një itinerar mallorcan të paharrueshëm.

Cecilie Sheridan, kuratore rezidente në La Residencia, një hotel Belmond, në Deià

Pasi të shkosh në Deià, do duash gjithmonë të rikthehesh.

Vendi im i preferuar është…

Në kodra. Më pëlqen të ngjitem atje për t’u shkëputur pak nga fshati dhe për ta parë me sy të freskët. E pamundur të lodhesh nga Deià. Kushdo që ka qenë, do kthehet patjetër.

Ishulli ka vende fantastike për të ngrënë…

Në Deià kemi më shumë restorante sesa çdo gjë tjetër. Provoni El Olivo në La Residencia, shefi Guillermo Méndez është i mrekullueshëm. Xelini është një bar i njohur për tapast, shumë i çlodhshëm, me një kopësht të këndshëm. Restaurante Sebastian është i bukur dhe me një shef të shkëlqyer. Dhe ka edhe një trattori të thjeshtë që vendasit e adhurojnë Trattoria Italiana.

Deià është e njohur për shpirtin e saj artistik…

Ne organizojmë ekspozita sezonale në galerinë e artit të hotelit, Sa Tafona, që në fakt ka qenë presa e ullirit. Është ambienti më i madh në hotel, ndaj shumë i kërkuar për ekspozita. Mos harroni edhe një shëtitje nëpër fshat, shumë artistë vendas hapin dyert e studiove të tyre që vizitorët të shohin krijimtarinë në veprim.

Diçka që vetëm vendasit e dinë është…

Për të shijuar gjirin e plazhit në formën më të mirë, shkoni pas mes-shtatorit. Ka shtigje përmes ullishtave që ndahen herë pas here, unë gjithmonë u them njerëzve: ‘Vetëm zbrisni poshtë!’ Në verë është i tejmbushur, ndaj është vështirë ta shijosh dhe vapa është e madhe.

Për pamjen më të bukur…

Ka shtigje të mrekullueshme bregdetare që ngjiten në kodra (më mirë jashtë sezonit). Malet duken të padëmshme, por mund të jenë të rrezikshme, ndaj duhet një guidë. Brenda vetë Deiàs, shëtitja deri në kishë është spektakolare: nga maja sheh fshatin, detin dhe malet njëkohësisht. Deià është në disa nivele, mjafton të kthesh një cep dhe hapet një pamje e re që të surprizon çdo herë.

Pilar Garcia-Nieto, drejtoreshë dizajni në Finca Serena, Montuïri, dhe The Lodge, pranë bregdetit të Formentor

Pamjet janë të paharrueshme!

Për një përvojë unike në jetë…

Lëreni veten të lirë, eksploroni shtigjet me gurë të thatë, shijoni gastronominë dhe klimën. Dhe nëse e bëni me biçikletë, është edhe më mirë.

Vendi më i mirë për të bërë pazar është…

Palma ofron gjithçka, nga dyqane luksoze deri te butikë me shumë hijeshi. Rekomandoj Gordiola, një kompani që prodhon qelq me fryrje që nga viti 1719. Koleksionet e tyre janë të mrekullueshme.

Specialitetet vendase që duhet provuar janë…

Pa dyshim ensaimada e bërë me dorë, më e mira është tek Can Salem, pranë Finca Serena. E kemi çdo mëngjes në mëngjesin e hotelit. Për një drekë tradicionale buzë detit, Ca’s Patró March është zgjedhja ideale.

Për pamjen më të bukur…

Shkoni në Cabo Formentor, ku përzihen deti dhe malet Serra de Tramuntana. Ose qëndroni në Finca Serena, pamjet mbi Pla de Mallorca janë spektakolare.

Diçka që vetëm vendasit e dinë…

Vendndodhjet e gjireve dhe plazheve të fshehta me ujëra blu të kristalta… Mallorkinët i mbajnë sekret për t’i shijuar në qetësi.

Mikael Hall, pronar i Can Bordoy, Palma

Sa më lart të shkosh, aq më spektakolare është pamja.

Vendi im i preferuar është…

Një stol në Borne, sidomos gjatë sezonit të ftohtë je në zemër të qytetit mesjetar, por përreth ka gjelbërim dhe jetë. Edhe kopshti i Can Bordoy, në mes të qytetit të vjetër, të jep ndjesinë e fshatit, me zogj dhe bletë.

Specialitetet që duhet provuar janë…

Pa amb oli (bukë me vaj ulliri) me një verë vendase shkoni në Mercat de l’Olivar ose Mercat de Santa Catalina. Të shtunave në këtë të fundit ka peshk të freskët të skuqur dhe një gotë Verdejo.

Për një përvojë unike…

Merrni këpucët e ecjes dhe eksploroni shtigjet në Tramuntana, një zonë e mbrojtur nga UNESCO.

Për pamjen më të bukur…

Ngjitu në malet e Tramuntanës. Sa më lart, aq më mahnitëse është pamja.

Sekreti i vendasve…

Koha më e mirë për të qenë në Mallorca është jashtë sezonit, nga mesi i tetorit deri në mars.

Miguel Garcia Feliz, drejtor menaxhues në Can Ferrereta, Santanyí

Gjiret e fshehta janë thesari i ishullit.

Vendi im i preferuar është…

Rajoni juglindor i ishullit, për dritën e pabesueshme. Gjiri Cala s’Almunia është i preferuari im, ideal për një not të parë të ditës, herët në mëngjes kur askush nuk është ende aty.

Për një përvojë të paharrueshme…

Dilni nga zona e rehatisë dhe eksploroni fshatrat, jo vetëm ata buzë detit, por edhe brenda në tokë. Mos planifikoni çdo gjë sipas një guide!

Për pamjen më të mirë…

Perëndimi i diellit nga Cap de Formentor është magjepsës.

Specialitetet vendase…

Orizi me kallamar të pjekur, kopër dhe aïoli, shefi ynë Carlos García e përgatit shkëlqyeshëm tek restoranti Ocre. Provojeni edhe ensaimada me sobrasada, kombinim i ëmbël dhe i kripur, shumë mallorkinas.

Sekreti i vendasve…

Vendndodhjet e gjireve të fshehta… kjo është bukuria e ishullit. Bëhuni aventurierë, ecni dhe lërini telefonat, disa gjëra janë shumë të bukura për t’u ndarë.

 

Inés Miró-Sans, bashkëthemeluese e Portella, Palma

Muzeu i Mallorcës rrëfen historinë mes së kaluarës dhe së tashmes.

Vendi im i preferuar në Mallorca…

Serra de Tramuntana, një ditë me varkë përgjatë këtij bregu është një nga përvojat më të bukura që kam pasur. Është natyrë e egër, e paprekur.

Për një përvojë unike…

Përjetoni les matançes, një nga traditat më të vjetra gastronomike dhe shoqërore të ishullit. Nuk është thjesht një ngjarje, por një lidhje e thellë me shpirtin e Mallorcës.

Vendet më të mira për të ngrënë…

Ca Na Toneta është një projekt i jetës nga motrat Solivellas kanë rikthyer prodhuesit vendas dhe i japin jetë recetave tradicionale mallorkine. Për një atmosferë ndryshe, por po aq dinamike, sugjeroj Sa Roqueta.

Për pamje të paharrueshme…

Shkoni në Banyalbufar. Aty malet përqafojnë Mesdheun, një peizazh dramatik. Rekomandoj tarracën e Ca’n Paco për një gotë malvasia në perëndim të diellit.

Për të shmangur turmat…

Shkoni në Cabrera, një ishull i vogël dhe i mbrojtur, që ofron paqe të plotë në kontrast me pjesët më të mbingarkuara të Mallorcës gjatë verës.

Për një përvojë kulturore…

Muzeu i Mallorcës rrëfen një histori interesante që lidh të kaluarën me të tashmen.

Sekreti i vendasve…

Të hash një variat në Sa Pobla tek Bar Casa Miss, një përzierje tapasash tradicionale në një pjatë të vetme. Është një eksplorim i vërtetë i shijes vendase. Mos ikni pa e provuar.