Jean-Claude Mpassy është një emër i njohur për lexuesit e rregullt të The Journal. Kreativi me bazë në Vjenë është kthyer në një figurë të pandashme të stilit të rrugës, falë aftësisë së tij për ta bërë kostumin të duket njëkohësisht i rafinuar dhe i lehtë për t’u veshur. “Qasja ime ndaj stilit është të përshtatem, por të dukem ndryshe në të njëjtën kohë,” thotë ai. Dhe duket se ia ka dalë mbanë. Po pyesni si ia del gjithmonë me kaq finesë? Ja leksioni i tij për t’u veshur me kostum, në mënyrë të sofistikuar dhe autentike.
01. Gjej përshtatjen e duhur
“Hapi i parë për të gjetur një kostum të mirë është të dish çfarë kërkon, për çfarë rastesh do ta përdorësh dhe si është silueta jote. Unë, për shembull, kam supe të gjera, ndaj preferoj xhaketat pa astar, sepse më japin më shumë liri lëvizjeje. Në verë, ky është opsioni im i preferuar. Jam 100% fans i xhaketave me dy rradhë kopsa, mund t’i veshësh edhe si xhaketa të zakonshme. Për sa i përket pantallonave, është e rëndësishme të gjesh siluetën që të shkon dhe t’i përmbahesh asaj. Unë zgjedh gjithmonë pantallonat e gjera dhe më pëlqejnë shumë ato me pala, i japin veshjes një detaj të veçantë.”
02. Zgjidh markat e duhura
“Më pëlqejnë siluetat e relaksuara dhe bashkëkohore kur bëhet fjalë për kostume. Diçka që ndihesh mirë duke e veshur, por që njëkohësisht duket elegante dhe me stil. Marka si Jil Sander ose Jacquemus e përfaqësojnë këtë më së miri. Kush më njeh e di që jam një fans i madh i Dries Van Noten. Ai ka qenë frymëzimi im më i madh kur bëhet fjalë për kombinimin e printeve dhe ngjyrave. Sigurisht që më vjen keq që vendosi t’i japë fund karrierës, por jam shumë kurioz të shoh çfarë do të sjellë Julian Klausner.”
03. Kujdes detajet
“Jam fans i madh i xhepave të jashtëm. Janë praktikë të përdorsh. Ndryshe nga xhepat e rrafshët, që nëse i mbush me çelësa apo gjëra të tjera, duken qesharakë. Ndërsa xhepat e jashtëm janë funksionalë dhe nuk e deformojnë veshjen. Gjithashtu, më pëlqejnë shumë jakat e gjera, i japin një frymë vintage pamjes së përgjithshme.”
04. Nuk të duhet patjetër një “kostum vere”
“Lina e ka vendin e vet, por nuk jam ndonjë adhurues i madh i saj. Më pëlqejnë gjërat që duken të pastra, dhe më pëlqen të hekuros është si terapi për mua. E dua ndjesinë kur rrobat rikthehen në formën e tyre. Po, lina është komode dhe e frymëmarrjes, por nëse të zë vapa, thjesht hiqe xhaketën. Vër pantallona pambuku me një këmishë ose një T-shirt. Mund të zgjedhësh edhe një përzierje line me pambuk është gjithmonë një alternativë e mirë.”
05. Aksesorët bëjnë diferencën
“Më parë, nëse vishje një kostum, do të kombinoje me një orë me rrip lëkure. Sot, të gjitha llojet e orëve janë të preferuara dhe mund të përshtaten me veshjet elegante. Edhe pse nuk është aksesor në kuptimin e zakonshëm, parfumi është gjithashtu diçka që duhet marrë parasysh. Çelësat dekorativë janë një mënyrë shumë e mirë për t’i dhënë pak kontrast një kostumi, sidomos kur ke pantallona me bel të lartë dhe pala, për mua janë një zgjedhje ideale. Kishim një periudhë ku stolitë ishin kudo, njerëzit mbanin pesë, gjashtë apo edhe shtatë unaza. Por sa më shumë kalon koha, aq më shumë mendoj se thjeshtësia dhe rehati janë më të rëndësishmet.”
06. Mos e lër zgjedhjen e këpucëve për në fund
“Loafer-at janë një zgjedhje fantastike, në të gjitha rastet. Mund t’i veshësh me kostume të qepura, pantallona klasike, xhinse, madje edhe me tuta sportive. Nëse do të dukesh vërtet elegant, Oxford-at janë gjithmonë një opsion i mirë, por sipas mendimit tim, janë më shumë për raste të veçanta.”
07. Investo në kostume për përditshmëri dhe raste të veçanta, pastaj luaj me kombinimet
“Për mua ekzistojnë kostumet e përditshme, si ato nga Lardini, AMI PARIS apo Jacquemus. Janë shumë aktuale dhe sjellin detaje ose silueta me karakter unik. Pastaj janë kostumet për raste të veçanta, kur do të shpërblesh veten me një kostum Brunello Cucinelli ose ZEGNA pas një marrëveshjeje të rëndësishme apo për ndonjë event të madh. Kur bëhet fjalë për të investuar në kostume të mira, unë gjithmonë këshilloj që të mos mendoni vetëm në mënyrë klasike, por të shihni si mund t’i përdorni xhaketat dhe pantallonat veçmas, për të krijuar sa më shumë kombinime me stil ‘broken suit’. Pse të mos bashkosh një palë pantallona nga Paul Smith me një xhaketë nga Lardini, për të krijuar një pamje tonale dhe për të përfituar sa më shumë nga garderoba jote?”