Gjykata e Los Angeles-it hodhi poshtë kërkesën e Bernardos për kujdestari të plotë, duke e lënë në fuqi marrëveshjen ekzistuese që i jep Sias kujdestarinë kryesore.
Sipas “Daily Mail”, Bernardo kishte kërkuar marrjen e plotë të kujdestarisë, duke akuzuar këngëtaren 49-vjeçare për abuzim me substanca narkotike.
Megjithatë, gjykata vendosi se ai nuk kishte paraqitur asnjë provë të re apo bindëse që të justifikonte ndryshimin e marrëveshjes aktuale.
Në bazë të saj, Bernardo do të ketë vetëm të drejtë për vizita të mbikëqyrura me djalin njëvjeçar.
Sia kishte paraqitur kërkesën për divorc në mars të vitit të kaluar, pas dy vitesh martesë me Bernardon. Ky i fundit pretendonte në dokumentet gjyqësore se këngëtarja ishte “një nënë e papërshtatshme dhe e varur nga substancat”, duke kërkuar edhe 77,245 dollarë në pagesë mujore.
Në anën tjetër, Sia i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato “të pabaza dhe mashtruese”.
Ajo ka deklaruar se është esëll prej gjashtë muajsh dhe ndjek një program rehabilitimi me testime të rregullta, nën mbikëqyrjen e një personi të kthjellët.
Një burim i afërt me këngëtaren i tha revistës “People” se ajo është “e shkatërruar” nga fakti që çështja e saj personale është bërë publike.
Sia është një person shumë privat. Publikimi i detajeve të kësaj beteje ligjore e ka prekur thellë
-tha burimi.
Sia më parë ka qenë e martuar me regjisorin Erik Anders Lang, një martesë që përfundoi në vitin 2016.