Numri 1 i botës në tenis, Janik Siner është pezulluar për 3 muaj pasi rezultoi pozitiv në testin e doping. Italiani arriti akord me agjencinë ndërkombëtare, ndërsa në këtë periudhë do të humbasë 4 kompeticione.
Rrezikonte pezullimin për 2 vite, por Jannik Sinner, numri 1 i botës në tenis ia hodhi paq, pasi do të mungojë vetëm 3 muaj. Vendimi është konfirmuar në orët e fundit, ku bëhet me dije se 23-vjecari është dakordësua me agjencinë ndërkombëtare të anti-doping për të mos marrë pjesë në asnjë kompeticion zyrtar në periudhën 3 mujore.
“Agjencia Botërore Anti-Doping (Wada) konfirmon se ka arritur një marrëveshje për të zgjidhur çështjen në lidhje me tenistin italian Jannik Sinner, me atletin që pranon një periudhë tre-mujore të papërshtatshmërisë për një shkelje të rregullave antidoping pasi testoi pozitiv për clostebol, një substancë e ndaluar, në mars 2024, thuhet në njoftimin e bërë.
Sinner rezultoi pozitiv në testin e doping, ku substance clostebol u konstatua në organizmin e tij, ndërsa vetë sportisti pohoi se nuk kishte informacion, por dyshonte se mund të jetë përçuar në trupin e tij nëpërmjet barnave, ku më herët ishte mjekuar si pasojë e një dëmtimi. Kjo u mor parasysh nga Wada, e cila zbuti dënimin për Sinner, ndërsa një njoftimin e bërë pohoi se tenisti nuk ishte në dijeni të kësaj substance, e cila pavarësisht se u konstatua në organizëm, nuk kishte ndikuar në performancën e tij.
Indian Wells, Monte Carlo, Miami dhe Madridi do të jenë ngjarjet më të rëndësishme që ai do të mungojë përpara se të kthehet në maj për të luajtur në Romë.