Bota

Siria mban të parat zgjedhje prej rënies së regjimit të Assad-it!

Siria sot mban zgjedhje parlamentare, të parat që prej rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, dhjetorin e kaluar. Në këtë proces nuk ka votë direkte për Asamblenë e Popullit, përgjegjëse për legjislacionin gjatë periudhës së tranzicionit. Të ashtuquajturat “kolegje zgjedhore” do të zgjedhin përfaqësuesit për dy të tretat e 210 vendeve. Presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa do ta përzgjedhë pjesën tjetër.

Ish-presidenti Assad u rrëzua nga pushteti nga forcat e Sharaas 10 muaj më parë, pas 13 vjetësh luftë civile. Autoritetet thanë se për arsye sigurie i kanë shtyrë votimet në dy provinca të kontrolluara nga kurdët e në një tjetër, ku ka patur luftime të përgjakshme mes forcave qeveritare e militantëve druzë.

Në një fjalim të mbajtur javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i pari i një presidenti sirian në 60 vjetët e fundit, al-Sharaa premtoi se do të ketë drejtësi për çdo konflikt të përgjakshëm, si dhe për ata që kanë kryer mizori nën regjimin e Assad-it.

Siria është duke rindërtuar veten përmes një shteti të ri, po ndërton institucione dhe ligje që garantojnë të drejtat e të gjithëve, pa asnjë përjashtim.

Zgjedhjet e sotme mbikëqyren nga një komitet i lartë prej 11 anëtarësh, i zgjedhur nga presidenti në muajin qershor. Numri i vendeve që do të ndahet për 60 distrikte, bazohet në të dhënat e regjistrimit të 2010-ës, një vit para se shteti të përfshihej në luftën civile, që ka lënë të vrarë më shumë se 600 mijë njerëz dhe ka zhvendosur 12 milion të tjerë.