Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, konfirmoi se po mbahen negociata që kanë për synim arritjen e një marrëveshjeje të sigurisë mes shtetit të tij dhe Izraelit që vazhdimisht kryen sulme në vendin e shkatërruar nga lufta që kur u rrëzua nga pushteti presidenti Bashar al-Assad, dhjetorin e kaluar.
Izraeli dhe Siria që zyrtarisht janë në luftë nga viti 1948, arritën një pakt për ndalimin e armiqësive, 51 vjet më parë, pra më 1974-ën. Akordi i ndërmjetësuar pas luftës së vitit 1973, krijoi një zonë të sigurt në Lartësitë e Golanit nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara për të ndarë forcat izraelite e siriane.
Izraeli vlerëson se me rënien e regjimit, Siria është tërhequr nga marrëveshja e vitit 1974 edhe pse që nga momenti i parë, Siria ka treguar përkushtimin ndaj paktit, u shpreh al-Sharaa në një intervistë televizive. Aktualisht po zhvillohen negociata për një marrëveshje të sigurisë, që Izraeli të kthehet në pozicionin e tij para 8 dhjetorit, u shpreh për televizionin shtetëror sirian al-Ekhbariya, duke iu referuar ditës kur al-Assad u rrëzua nga pushteti.
Negociatat nuk kanë përfunduar ende, shtoi al-Sharaa, i cili mori pushtetin pas rrëzimit të Assad-it.
Muajin e kaluar, Izraeli dhe Siria mbajtën bisedime të drejtpërdrejta nën ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli më 1967-ën e të aneksuara më 1981-shin, janë pika kryesore kontestuese. Aneksimi izraelit i Lartësive të Golanit nuk njihet ndërkombëtarisht.
Pas rënies së al-Assad-it, Izraeli ka dislokuar trupa shtesë në këtë zonë dhe që atëherë ka intensifikuar sulmet ajrore në Siri, duke thënë se po synon që armët e Sirisë të mos bien në duart e ekstremistëve. Po ashtu, Izraeli ka bombarduar në jug të Sirisë e në kryeqytetin Damask, me qëllim “mbrojtjen e minoritetit druze”, pas dhunës vdekjeprurëse që shpërtheu në provincën siriane të Suveidës, një bastion i minoritetit fetar druze.
Druzët janë minoritet i vogël, por me ndikim në Siri, Izrael e në Liban. Ata ndjekin një fe, e cila sipas tyre është degë e Islamit.