Kuvendi i Shqipërisë u përfshi në debate për tensionet në veri të Kosovës dhe që dje kulmuan me tre policë kufitarë të rrëmbyer nga Serbia sipas Prishtinës zyrtare, ndërsa Beogradi thotë se u arrestuan se të armatosur hynë në territorin serb. Sipas opozitës, kryeministri Rama sot duhej të ishte në seancë plenare e të jepte sqarime për draftin dorëzuar Francës e Gjermanisë lidhur me Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Sipas deputetëve opozitarë, Rama duhet të sqarojë se përse nuk u konsultua me qeverinë e Kosovës për planin.
Deputeti demokrat, Edmond Spaho:
Turp që kryeministri bën publike qëndrimet për Kosovën në kohën që s’ka diskutuar me udhëheqjen kosovare. Turp i madh që anulohet takimi i dy qeverive, këtë mund ta bëjë vetëm një tradhtar si Esat Pasha.
Për deputetin Oerd Bylykbashi, me qëndrimet e tij, Rama po e dëmton Kosovën, në vend që të ishte në krah të saj në këtë situatë të vështirë që po kalon.
Ky kryeministër është duke e vënë në pozitë të vështirë negociuese Kosovën. Në vend që të këtë një partner strategjik, aleat të NATO-s që të diktojë në interes të saj, ne bëjmë të kundërtën, i dëmtojmë.
Deputetëve të opozitës e shqetësimeve të tyre iu përgjigj Taulant Balla. Kryetari i grupit parlamentar socialist iu vuri në dukje se bëjnë sikur interesohen për Kosovën, kur nuk ia duan të mirën asaj dhe thjesht përpiqen ta përdorin për konsum politik. Balla u shpreh se nën qeverisjen e Partisë Socialiste, Shqipëria do jetë gjithmonë në krah të Kosovës, por duke ndjekur linjën e ndërkombëtarëve, pasi pa ta nuk do të kishte Kosovë.
Jemi vend anëtar i organizatës euroatlantike, falë asaj organizate që u bombardua për afro dy muaj Beogradi, Serbia dhe falë asaj organizate kemi sot Kosovën shtet të lirë, sovran e të pavarur. Shqipëria sot, duan apo jo anti-amerikanët, duhet të jetë në një linjë me organizatën euroatlantike.