Botë e Çuditshme Food & Drink

Skuqen dhe shoqërohen me erëza pikante, gatimi tradicional kinez me bazë gurin bëhet viral në rrjetet sociale!

Gatimi tradicional, ku përbërësi kryesor janë copa guri, të cilat skuqen në tigan, po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e përdoruesve në rrjetet sociale kineze. Pasi gurët skuqen në vaj në nxehtësi të lartë, shoqëruar me erëza pikante, ata thithen për të përftuar të gjithë shijen. Gatimi e ka origjinën në provincën kineze Hubei. Në gjuhën vendase, gatimi quhet suodiu, që do të thotë “thith dhe pështy”.

Videot e njerëzve duke shijuar këtë gatim të çudishëm janë përhapur në platformat online në Kinë, ku shfaqen skena nga gatimi i kësaj pjate nga shitës ambulantë. Ata hedhin gurët në tiganin e mbushur me vaj pikant, shtojnë salcë hudhrash e më pas i përziejnë gurët me shpejtësi duke shtuar edhe copëza speci djegës dhe hudhrash.

Gatimi shërbehet në kuti në madhësinë e një dore. Një racion kushton 16 yuan, ose 2,3 dollarë. Sipas mediave lokale, suodiu besohet se është qindravjeçar dhe është kaluar brez pas brezi nga varkëtarët. Në kohët e vjetra, ata mund të ngecnin në mes të lumit dhe duke mos pasur ushqim tjetër, shpikën këtë pjatë me gurë dhe erëza.