Sport

Sonte Letoni-Shqipëri ekskluzivisht në Digitalb, kuqezinjtë pa mbrojtjen zyrtare!

Në kuadër të Kualifikueseve të Botërorit të Futbollit 2026, sonte për Grupin K luhet Letoni-Shqipëri, në stadiumin “Skonto”. Sfida që nis në orën 20:45 do të transmetohet drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në Digitalb, ashtu si takimi i të shtunës së kaluar me Serbinë. Kombëtarja shqiptare u rikthye në fushë duke nisur menjëherë përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese ndaj Letonisë.

Paraditen e 8 qershorit, në “Shtëpinë e Futbollit”, trajneri Silvinjo e ndau grupin në dy pjesë. Lojtarët që nuk u aktivizuan ndaj Serbisë zhvilluan një seancë të plotë, e fokusuar më shumë te puna me topin dhe situatat e ndryshme të lojës. Ndërsa lojtarët që luajtën ndaj Serbisë bënë vetëm shkrydhje në palestër dhe fizioterapi.

Për ndeshjen ndaj Letonisë nuk do të jetë në dispozicion kapiteni Berat Gjimshiti, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe si rrjedhojë nuk ka udhëtuar me ekipin mbrëmjen e së dielës kur mbërriti në Riga të Letonisë.

Pasditen e djeshme, ekipi zhvilloi një seancë stërvitore të lehtë në stadiumin ku do të luhet takimi mbrëmjen e sotme. Kjo është një përballje e rëndësishme ku barazimi nuk do të konsiderohet më si një rezultat pozitiv, ndryshe nga ai i Tiranës përballë Serbisë.

Ndërkaq, për transfertën me Letoninë, qendër-mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për shkak të një shqetësimi muskulor në kofshën e majtë. Kjo u bë e ditur nga Federata Shqiptare e Futbollit, FSHF.