Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Sot heshtje zgjedhore, nesër “beteja” për votën!

Parlamentaret e 11 Majit, sot heshtje zgjedhore në vendin tonë. Mbi 3.7 milion persona me të drejtë vote janë thirrur të votojnë për të ushtruar të drejtën në zgjedhjen e përfaqësuesve në parlament dhe se kush do të drejtojë për 4 vitet e ardhshme.

Kryeministri socialist Edi Rama kërkon një mandat të katërt, me fokus integrimin europian dhe pasaportën e Unionit, ndërsa kryetari demokrat Sali Berisha, i cili synon rikthimin në pushtet pas 12 vjetësh, e ka vënë theksin e fushatës te ekonomia dhe sipas tij, “korrupsioni i qeverisë”. Risia e këtyre zgjedhjeve është vota e Diasporës. Referuar të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, më shumë se 245 mijë persona janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë proces.

Në garën e 11 Majit janë 11 subjekte apo koalicione politike, kandidatët e të cilëve garojnë të vendosur në lista të hapura e të mbyllura. Çdo subjekt ka 186 emra në listën e votimit të KQZ-së, ku 46 janë nga lista e mbyllur.

Policia e Shtetit ka përgatitur një plan të detajuar masash që procesi zgjedhor të shkojë mirë dhe pa incidente. Mbi 5 mijë punonjës policie janë angazhuar për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen nesër. Uniformat blu kanë marrë në ruajtje KZAZ-të, që në momentin që në to shkuan materialet zgjedhore.

Sot paradite, efektivët e planizuar në ruajtjen e qendrave të votimit, fillimisht instruktohen dhe më pas shpërndahen në qendrat ku janë vendosur për të kryer shërbim. Në të gjithë vendin tonë numërohen 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve e 5 mijë e 225 objekte që do të shërbejnë si Qendra Votimi. Ato merren në ruajtje nga Policia e Shtetit.

Të dielën e 11 Majit, ditën e votimit, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e policisë tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.