Partia Demokratike ka thërritur sot në orën 19:00 mbështetësit e saj për protestën që do të mbajë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, Policia ka marrë masa duke kufizuar përkohësisht qarkullimin në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e datës 16 prill deri në përfundim të tubimit, bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 17 prill deri në përfundim të tubimit, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në të njëjtin bulevard, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e përcaktuar për tubimin, ndërsa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme në qarkullim. Gjithashtu, qytetarët ftohen të shmangin çdo veprim të kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.