Sport

Spaleti: Juventusi im është përmirësuar, skuadra duhet kompletuar!

Luçiano Spaleti, trajneri i Juventusit, ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së Serie A kundër Kremonezes, duke u ndalur te rritja e skuadrës dhe te aspektet taktike që sot janë vendimtare në futbollin modern.

Sipas teknikut bardhezi, ekipi ka bërë hapa përpara, por ka ende elementë që duhen përvetësuar plotësisht. “Jemi përmirësuar në shumë gjëra, por ka të tjera që ende duhet t’i arrijmë. Janë pjesë e futbollit aktual dhe sot nuk mund të konsiderohen më dytësore”, theksoi Spaleti. Ai u ndal veçanërisht te rëndësia e rikuperimit të shpejtë të topit dhe te menaxhimi i presionit të vazhdueshëm gjatë ndeshjes.

“Rikthimi i menjëhershëm i topit të humbur të jep siguri dhe të lejon të rifillosh aksionin aty ku do ta kishe përfunduar. Brenda presionit lindin më shumë duele dhe më shumë topa të dytë, të cilët sot janë vendimtarë”, shtoi ai.

Në fokus ishte edhe përballja me Kremonezen e drejtuar nga Davide Nikola, për të cilin Spaleti shprehu respekt maksimal. “Jemi në rrugën e duhur, por çdo gjë duhet ribërë nga e para në çdo ndeshje. Kundër Kremonezes do të përballemi me një trajner shumë të aftë, që di të shfrytëzojë momentet e veçanta të lojës. Nikola e njeh mirë Serie A dhe kudo që ka trajnuar ka lënë gjurmë”, deklaroi trajneri i Juves.

Duke kaluar te individët, Spaleti u ndal te Dejvid, duke vlerësuar paraqitjen e tij kundër Sasuolos.

“Ajo ndeshje mund t’i japë shumë besim. Nga ana taktike krijon hapësira për shokët e skuadrës dhe ka një harmoni të mirë me ekipin, por pres që të rritet edhe më shumë”, tha ai, duke konfirmuar se lojtari do të ketë sërish besimin e tij.

Në fund, Spaleti preku edhe temën e merkatos, duke pranuar se skuadra ka nevojë për përforcime. “Në disa role jemi të zbuluar. Për të qenë konkurrues, ekipi duhet të plotësohet”, përfundoi tekniku bardhezi.