Bota

Spanja do të reduktojë javën e punës në 37.5 orë!

Java zyrtare e punës në Spanjë do të reduktohet në 37.5 nga 40 orë sipas një ligji të ri të propozuar. Së shpejti, shteti spanjoll mund të kalojë në një javë më të shkurtër dhe punonjësit do të punojnë 2.5 orë më pak, pasi qeveria miratoi një projektligj që do të reduktojë orët zyrtare të punës nga 40 në 37.5 orë.

Nëse miratohet, projektligji, i cili tani do të kalojë në parlamentin spanjoll do të përfitonin 12.5 milion punonjës të sektorit privat me kohë të plotë e të pjesshme dhe pritet të përmirësohet produktiviteti e të ulen mungesat në punë, sipas Ministrisë së Punës së vendit.

Sot, ne po modernizojmë botën e punës dhe po i ndihmojmë njerëzit të jenë pak më të lumtur, tha ministrja e Punës Yolanda Díaz, e cila kryeson partinë Sumar, që është pjesë e qeverisë aktuale të koalicionit të krahut të majtë.

Vendimi që tashmë zbatohet për nëpunësit civilë dhe disa sektorë të tjerë do të prekte kryesisht sektorin e shitjes me pakicë, prodhimin, mikpritjen dhe ndërtimin, shtoi Díaz.

Qeveria e Kryeministrit Pedro Sánchez nuk ka një shumicë të qartë në parlament, ku projektligji duhet të miratohet që të bëhet ligj. Sindikatat kryesore kanë shprehur mbështetje për propozimin, ndryshe nga shoqatat e biznesit. Spanja ka pasur një javë pune 40-orëshe që nga viti 1983, kur u reduktua nga 48 orë.

Pas pandemisë COVID-19, ka pasur lëvizje për të ndryshuar zakonet e punës me skema të ndryshme pilot të nisura në Spanjë, për të futur potencialisht një javë pune katër-ditore, duke përfshirë një provë më të vogël në Valencia.

Rezultatet e programit njëmujor sugjeruan, që punëtorët kishin përfituar nga fundjavat më të gjata, duke zhvilluar zakone më të shëndetshme siç është sporti, si dhe duke ulur nivelet e stresit.