Më shumë se 100 miliardë euro në vit është kostoja vjetore e depresionit të lidhur me punën në vendet e Bashkimit Europian. Një studim i detajuar dhe i publikuar nga Instituti Europian i Sindikatave (ETUI), identifikoi pesë rreziqe psikosociale në thelbin e sëmundjeve mendore:
• stresi në punë
• orët e gjata të punës
• pasiguria në punë
• çekuilibri midis përpjekjes e shpërblimit
• problemet morale
Këto rreziqe mund të kenë pasoja tragjike, bazuar në të dhënat e disponueshme e që datojnë nga viti 2015.
Rreth 6,000 vdekje nga sëmundjet koronare të zemrës i atribuoheshin ekspozimit ndaj rreziqeve psikosociale dhe më shumë se 5,000 vdekje ishin për shkak të vetëvrasjeve të shkaktuara nga depresioni, shpjegoi Sonia Nawrocka, studiuese në ETUI.
Në të njëjtin vit, më shumë se 400,000 vjet jetë u humbën për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare dhe depresionit, sipas raportit dhe vlerësohet se këto janë vdekje të parandalueshme. Referuar institutit, 8% e sëmundjeve kardiovaskulare dhe 23% e atyre të depresionit i atribuohen të tilla rreziqeve psikosociale.
Raporti është i pari që përcakton koston ekonomike jo vetëm të depresionit, por edhe të sëmundjeve kardiovaskulare, në veçanti sëmundjeve koronare të zemrës e goditjes në tru, të lidhura me faktorët psikosocialë të punës.
Franca, Belgjika, Finlanda, Irlanda dhe Holanda janë pesë vendet më të prekura për sa i përket kostos për 100,000 punëtorë. Kjo barrë financiare ndahet nga punëdhënësi dhe punëmarrësi, por ndonjëherë në mënyrë asimetrike.
Për të dy sëmundjet, zbuluam se barra më e rëndë ra mbi punonjësit, por edhe mbi punëdhënësit. Në veçanti, sa i përket kostos së depresionit, mund të vlerësojmë se më shumë se 80% e kostos totale të depresionit i atribuohej rreziqeve psikosociale në punë në vitin 2015 në Europë.
Kjo kosto u pagua nga punëdhënësit për shkak të mungesës së produktivitetit dhe një uljeje të produktivitetit të shkaktuar nga sëmundja dhe mungesat. Studimi përmend edhe pjesën kur punonjësit shkojnë në punë, por performojnë keq për arsye shëndetësore, sidomos shëndetin mendor.
Brukselit zyrtar po i bëhet thirrje që të angazhohet të forcojë përpjekjet e direktivat mbi shëndetin mendor, si edhe të ofrojë udhëzime për punëdhënësit. Por, përpjekjet për të parandaluar këto rreziqe ndryshojnë në varësi të vendit të punës e fuqisë punëtore.