Bota

Spanja kërkon ndihmë për zjarret, thellohet bilanci i viktimave!

Bashkimi Evropian dërgoi dy aeroplanë për të ndihmuar Spanjën në përballimin e zjarreve, pasi vendi aktivizoi për herë të parë mekanizmin e BE-së për ndihmë në rast katastrofash. Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, u tha mediave lokale se kishte kërkuar nga BE-ja që dy avionë uji të vendoseshin në zonat më të prekura.

Ndihma vjen ndërsa një person i tretë ndërroi jetë për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë luftimit të një zjarri. Agjencia shtetërore meteorologjike e Spanjës, ka paralajmëruar se vala e të nxehtit do të vazhdojë, me temperatura që pritet të kalojnë 44 gradë Celsius në disa zona, duke ngritur shqetësime se zjarret do të përhapen më tej.

Spanja është midis disa vendeve evropiane që po përjetojnë temperatura përvëluese dhe po luftojnë me zjarret e egra, të cilat i kanë kërkuar ndihmë BE-së. Greqia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë aktivizuar gjithashtu mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së, i cili i lejon çdo vendi të goditur nga një fatkeqësi si në Evropë ashtu edhe më gjerë të kërkojë ndihmë emergjente.

I nxehti ekstrem po thyen rekordet e temperaturave në të gjithë Evropën dhe po shkakton zjarre më të mëdha dhe më të forta. Në Francën jugperëndimore, rekordet u thyen të hënën në Angoulême, Bergerac, Bordeaux, Saint-Émilion dhe Saint-Girons. Météo France tha se temperaturat maksimale shpesh të jashtëzakonshme, madje të pashembullta në rajon ishin 12 gradë Celsius mbi normën për dekadat e fundit. Në Kroaci, rekordet e temperaturës së ajrit u shënuan në Shibenik, me 39.5°C dhe në Dubrovnik, me 38.9°C, ndërsa zjarre të mëdha pyjore shpërthyen përgjatë brigjeve të saj si edhe në vendet fqinje në Ballkan.