Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në resortin e skive në Astun (Huesca), në anën spanjolle të Pirenejve, ku nga këputja e teleferikut kanë mbetur të lënduar rreth 40 persona. Të paktën 17 prej tyre raportohet të jenë plagosur rëndë. Sipas mediave madrilene, 30 persona të tjerë thuhet se kanë pësuar lëndime më pak të rënda.
Punonjësit e shpëtimit po ndihmohen nga pesë helikopterë dhe rreth dhjetë autoambulanca për të transportuar të plagosurit në spitalet më të afërta.
Kanali shtetëror televiziv TVE raportoi se rreth 80 njerëz mbeten të bllokuar në teleferik, ndërsa ende nuk dihet shkaku i ngjarjes.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha se ishte “i tronditur” nga lajmi i aksidentit, duke shprehur ngushëllimet e tij për të plagosurit dhe familjet e tyre.
LEXO EDHE: Të sanksionuar nga SHBA dhe BE për gjykime të padrejta, ekzekutohen më armë dy gjykatësit e Gjykatës Supreme të Iranit
Kryqi i Kuq spanjoll bëri reagimin e parë duke konfirmuar se i ishte bashkuar shërbimeve të urgjencës në vendngjarje me një ambulancë të avancuar me sistem reanimimi dhe 11 automjete të tjera të specializuara.
“I tronditur nga lajmi i aksidentit në stacionin #Astún. Kam folur me presidentin e Aragonit @Jorge_Azcon për t’i ofruar atij mbështetjen e plotë të Qeverisë. Gjithë përzemërsia jonë për të lënduarit dhe familjet e tyre”, shkroi Sanchez në X.