Prej shumë ditësh në media është përfolur për spektaklin që do t’i paraprinte ndeshjes me Francën në stadiumin “Air Albania” që sapo është inaguruar.
Me producent Ardit Gjebrean dhe një sërë emrash të njohur të muzikës shqiptare priteshin të dhuronin një spektakël të paharrueshëm por në fakt ky moment u përball me kritika të ashpra menjëherë pas ndeshjes.
Shumë njerëz shkruan online mendimet e tyre për shfaqjen 15 minutëshe në stadium dhe shumica mbetën të pakënaqur aq sa ajo çfarë po argëton publikun janë vetëm meme-t online të këtij momenti.
Fillimisht ajo çfarë u vu re ishte mungesa e një skene në stadium ku do të performonin Flori Mumajesi, Aurela Gaçe dhe Era Istrefi.
Mungesa e një skene la shumë për të dëshiruar vizualisht pasi të gjithë artistët u detyruan të vraponin në fushë si ‘tifozë të çmendur’. Nga ana tjetër mungonte ndriçimi i mirëfilltë që e bënte thuajse të pamundur për të dalluar interpretimin e këngëtarëve dhe balerinëve.
Në tërësi të gjitha performacat u kritikuan si të vakëta dhe me mungesë profesionaliteti gjë që bënë edhe shumë figura publika të reagonin kundra tij.