Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon të ndalojë sportistët transgjinorë që të marrin pjesë në sportet për femra. Urdhri me titull: “Mbajtja e Burrave Jashtë Sporteve për Femra”, u jep agjencive federale liri të gjerë për të siguruar që subjektet që marrin fonde federale, t’i përmbahen vendimit. Trump u shpreh:
Përmes këtij urdhri ekzekutiv, lufta kundër femrave në sport merr fund.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, merrnin pjesë ligjvënës dhe sportiste femra që janë shprehur kundër pjesëmarrjes në sportet e tyre të transgjinorëve, përfshirë ish-notaren e famshme Riley Gaines.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se urdhri është në përputhje me ligjin federal që ndalon diskriminimin me bazë gjinore në programet që marrin fonde federale. Ajo deklaroi se urdhri kërkon “veprim të menjëhershëm, përfshirë veprimet për zbatimin e tij, ndaj shkollave dhe organizatave sportive” që nuk respektojnë sportet e femrave dhe dhomat e tyre të zhveshjes.
Nënshkrimi përkon me “Ditën Kombëtare të Vajzave dhe Grave në Sport” e është ndër urdhrat e fundit ekzekutiv të presidentit republikan e që vë në shënjestër transgjinorët. Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se “kjo çështje shtrihet përtej vijave partiake”.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nga “AP VoteCast” thanë se mbështetja për të drejtat transgjinore në qeveri dhe shoqëri i ka kaluar kufijtë. Trump ishte zotuar të eliminonte, “çmendurinë transgjinore”, por pa dhënë detaje.
Urdhri ekzekutiv ofron disa qartësi.
Autorizon Departamentin e Arsimit që të penalizojë shkollat që lejojnë pjesëmarrjen e transgjinorëve në sportet e femrave, duke thënë se kjo bie ndesh me ligjin federal për diskriminimin me bazë gjinore në shkolla. Shkollat që shkelin urdhrin mund të humbasin fondet federale.
Zbatimi i urdhrit do të ketë përparësi për departamentin. Drejtori në detyrë i Zyrës për të Drejtat Civile u tha punonjësve se hetimet e tyre duhet të përputhen me përparësitë e Trump-it, siç deklaruan për Associated Press burime të rezervuara. Me ardhjen e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, departamenti hapi një hetim ndaj shkollave publike në qytetin e Denverit për tjetërsimin e banjave për vajzat, në banja për të gjitha gjinitë, ndërsa një tjetër vetëm për djemtë.
Presidenti Trump lëshoi edhe një paralajmërim për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar përpara Lojërave Olimpike Verore 2028 në Los Anxhelos.
Kam autorizuar sekretarin e Shtetit, Marco Rubio që t’ia bëjë të qartë Komitetit Olimpik se Amerika e refuzon kategorikisht marrëzinë transgjinore. Duam që ata të ndryshojnë gjithçka që ka të bëjë me Olimpiket dhe që ka të bëjë me këtë temë qesharake.
Presidenti Trump shtoi se drejtoresha e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem do të “mohojë çdo aplikim për vizë të bërë në mënyrë mashtruese nga burrat që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që identifikohen si sportiste femra në përpjekje për të marrë pjesë në lojëra”.
Veprimtarë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e transgjinorëve kanë ngritur padi kundër vendimeve të fundit të presidentit republikan. Kritikët thonë se urdhrat ekzekutivë shkelin ligjet e miratuara nga Kongresi dhe tejkalojnë autoritetin e presidentit.