Studentët serbë të nisur nga Beogradi dhe që kaluan natën në Ingjije, rreth 40 kilometra nga kryeqyteti serb, po vazhdojnë marshin e tyre protestues drejt Novi Sadit, ku do t’iu bashkohen të tjerë të rinjve nga ky qytet, për të bllokuar urat më 1 shkurt, pra nesër. Kështu, shënojnë tremujorin e vdekjes së 15 personave pas shembjes së një strehe betoni në stacionin e trenave në Novi Sad.
Pritet që studentët, të cilët u nisën dje nga Beogradi, të arrijnë në stacionin e trenave të Novi Sadit rreth orës 19:00. Marshin e tyre e filluan në afërsi të 80-kilometërshit, dje rreth orës 10:30 nga Fakulteti i Arteve Dramatike të Beogradit. Ata u ndalën për pushim në Batajnicë, Bova e Stara Pazova, ku u pritën nga qytetarët dhe shkuan në Ingjije rreth orës 22:00 dhe kaluan natën në tenda, në një fushë sporti.
Studentët e Beogradit planifikojnë të mbështesin kolegët në Novi Sad, të cilët kanë njoftuar se do të bllokojnë urat në gjithë qytetin më 1 shkurt, kur bëhen tre muaj që nga tragjedia në stacionin e trenave të këtij qyteti. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se pjesëtarë të kësaj ministrie do të ofrojnë siguri për marshin e studentëve, duke i shoqëruar edhe me autoambulanca e kamionë me ujë të pijshëm.
Tragjedia në Novi Sad nxiti një valë të protestave masive në mbarë Serbinë, duke nxjerr në rrugë dhjetëra mijëra njerëz. Në dy muajt e fundit, protestat janë udhëhequr nga studentët, të cilët kanë bllokuar dhjetëra universitete shtetërore. Kërkesa kryesore e tyre është që të ketë përgjegjësi penale dhe politike të autoriteteve për aksidentin në Novi Sad.
Qeveria dhe presidenti Aleksandar Vuçiç pretendojnë se kërkesat e studentëve janë plotësuar. Studentët protestues kanë thënë se Vuçiç nuk është përgjegjës për përmbushjen e kërkesave të tyre, duke shtuar se ato nuk janë plotësuar ndaj do të vazhdojnë protestat.