Bota

Studimi i fundit, temperaturat e larta do bëhen të zakonshme

Shumë pjesë të botës po përjetojnë temperatura rekord mbi 40 gradë celcius. Zjarret më të mëdha në pyje janë ato të Kalifornisë, pas zjarreve që shkrumbuan bregdetin e Greqisë. Studiuesit në Universitetin e Kalifornisë thonë se kushtet klimatike që mundësojnë këto zjarre të mëdha, po shfaqen më herët dhe zgjasin më shumë. Zyrtarët thonë se temperaturat e larta do bëhen të zakonshme. Një studim i ri thotë se nivelet e synuara në marrëveshjen klimatike të Parisit të vitit 2015, mund të mos mjaftojnë për të ndalur ngritjen e dëmshme të temperaturave. Vendet patën rënë dakord të përpiqen për të mos lejuar ngritjen e temperaturave mesatare të botës mbi 2 gradë celsius nga niveli i regjistruar përpara revolucionit industrial. Studimi më i fundit i bërë nga Universiteti Kombëtar Australian, Universiteti i Kopenhagenit dhe institucione të tjera, konkludon se edhe nëse vendet pjesëmarrëse i përmbahen marrëveshjes, proceset e shkrirjes së akujve polarë dhe çlirimi i metanit nga tabani i deteve mund të rrisin në të ardhmen temperaturën e Tokës me 4 – 5 gradë, duke i bërë kështu të pabanueshme shumë pjesë të globit.
Ndërkohë, valët e pazakonta të të nxehtit që po godasin Evropën dhe Azinë pritet që të bëhen më të zakonshme.