Aktualitet Bota

Stuhia e rrallë e dëborës godet jugun e SHBA-së, 4 viktima!

Një stuhi e pazakontë dimri ka përfshirë pjesë të jugut të Shteteve të Bashkuara, duke sjellë borë dhe shi në disa shtete, gjë që ka shkaktuar mbylljen e rrugëve dhe aeroporteve në Teksas, si dhe duke shkaktuar paralajmërime për stuhi bore për herë të parë në jugperëndim të Luizianës.

Deri më tani, katër persona dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e ekspozimit ndaj të ftohtit. Dy raste po hetohen nga autoritetet e Teksasit, ndërsa dy të tjerë kanë vdekur për shkak të hipotermisë në Xhorxhia dhe Milwaukee.

Ndërkohë, në veri të vendit, disa pjesë të shtetit të Nju Jorkut po përballen me një stuhi tjetër, që ka sjellë deri në 45 cm borë.

Mbi 2,200 fluturime brenda SHBA-ve u anuluan të martën, dhe 3,000 të tjera u vonuan, sipas të dhënave të shërbimit të ndjekjes së fluturimeve “Flight Aware”.

Në Bregun e Gjirit, një rajon ku bora paraqet një pamje të rrallë, pritet të bjerë një sasi e madhe bore. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, mund të bjerë deri në 2.5 cm borë për çdo orë në disa zona, duke përfshirë Teksasin lindor dhe pjesën perëndimore të Florida Panhandle.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar për borë të dendur që pritet të shkaktojë vështirësi në udhëtime dhe ka këshilluar qytetarët të shmangin lëvizjet, nëse është e mundur.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shpalli të hënën gjendjen e emergjencës në dymbëdhjetë qarqe të perëndimit të shtetit, pasi banorët po përballen me mot të ftohtë.

Në Buffalo, kryebashkiaku Christopher Scanlon shpalli një emergjencë të shtuar, duke mbyllur ndërtesën e Bashkisë dhe duke bllokuar disa rrugë, për shkak të kushteve të rrezikshme të trafikut.

Edhe Kanadaja po përballet me temperatura ekstremisht të ulëta, me paralajmërime për të ftohtin ekstrem në Ontario dhe Quebec. Temperaturat mund të bien deri në -50°C me erën e acartë.

Në jug të SHBA, rekordet e borës janë arritur në Rayne, Luiziana, ku bora ka arritur 26.6 cm.

Temperaturat pritet të bien shumë poshtë mesatareve të janarit dhe mund të kalojnë nivelet rekord të të ftohtit në disa zona.

Përgjigjja e shteteve të ndryshme ka qenë e shpejtë, me guvernatorët e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës që shpallën gjendje emergjence për t’u përballur me këtë mot të pazakontë.

Stuhi që filloi të hënën në Teksas, tani ka prekur Xhorxhian, Florida-n dhe Karolinën e Veriut dhe Jugut, duke u shpërndarë nëpër autostradat kryesore dhe duke ndikuar në trafikun ajror dhe tokësor.

Kryetari i Floridës, Ron DeSantis  pranoi se infrastruktura e shtetit të tij nuk është e përgatitur për kushte të tilla, duke e krahasuar me shtetet që përballen shpesh me borë. Po ashtu, ai dhe guvernatori i Karolinës së Veriut, Josh Stein, i bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur rrezikun.

Për shkak të këtij moti ekstrem, rreth 40 milionë njerëz në jug të SHBA-së janë nën paralajmërime, ndërsa më shumë se 170 milionë të tjerë, nga Malet Rocky deri në lindje, janë nën paralajmërime të ngjashme.

Shumë shkolla janë mbyllur dhe fluturimet janë pezulluar, duke shkaktuar kaos në transportin ajror. Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se stuhia mund të vazhdojë të shkaktojë ndërprerje të gjera në udhëtime për disa ditë, edhe pasi bora të ketë ndaluar.