Një breshëri dronësh dhe raketash ruse mbi kryeqytetin ukrainas Kiev dhe periferitë e tij, sot vrau një grua, plagosi disa persona e ndërpreu ngrohjen dhe energjinë elektrike për qindra mijëra njerëz në Ukrainë, që po përballet me temperaturat e ulëta të dimrit.
Një alarm ajror zgjati disa orë pas shpërthimeve të forta gjatë natës, disa të shoqëruara me shkëlqime të ndritshme që e kthyen qiellin në ngjyrë portokalli, sipas reporterëve të AFP-së në Kiev.
Sulmi vrau një grua 47-vjeçare, njoftoi guvernatori rajonal i Kievit, Mykola Kalashnyk.
Ka tashmë 19 të prekur në kryeqytet. 11 persona janë shtruar në spital, deklaroi kryebashkiaku i Kievit. Vitaliy Klitschko shtoi se 2 mijë e 600 ndërtesa banimi dhe qindra kopshte, shkolla e ndërtesa sociale kanë humbur ngrohjen.
Që nga ky mëngjes, një pjesë e bregut të majtë të rajonit mbetet pa energji elektrike. Aktualisht, më shumë se 320 mijë konsumatorë kanë mbetur pa energji elektrike.
Forcat ajrore të Ukrainës njoftuan për një sulm ajror në të gjithë vendin dhe thanë se dronë e raketa po lëviznin mbi disa rajone ukrainase që në orët e para të ditës.
Sulmi erdhi përpara takimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me kolegun amerikan Donald Trump, në Florida. Ky takim do të zhvillohet nesër, për të diskutuar një plan të propozuar për t’i dhënë fund luftimeve që kanë vrarë qindra mijëra njerëz që nga viti 2022.
Një ditë më parë, Rusia akuzoi Zelensky-n dhe mbështetësit e tij në Bashkimin Europian se po kërkojnë të “shkatërrojnë” planin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Plani më i fundit është një propozim me 20 pika që do ta ngrinte luftën në vijën aktuale të frontit, por do të hapte rrugën që Ukraina të mund të tërhiqte trupat nga lindja, ku mund të krijoheshin zona tampon të demilitarizuara, sipas detajeve të zbuluara nga presidenti Zelensky më herët këtë javë.