Sport

Sylvinho me katër dilema për formacionin, ja si luan Kombëtarja në Riga!

Trajneri Sylvinho ka katër dilema për formacionin me të cilin Kombëtarja do zbresë sonte në fushë për përballjen në transfertë kundër Letonisë. Për shkak se vetëm tre ditë më parë kuqezinjtë shpenzuan energji në barazimin 0-0 kundër Serbisë, Sylvinho po mendon për disa ndryshime.

LEXO EDHE: Trajneri, Italia e futbollit me ‘shpatulla pas murit’, Ranieri e Pioli i thonë ‘jo’ kombëtares!

Me Gjimshitin dhe Ajetin që mungojnë, qendra e prapavijës do t’i besohet Ismajlit dhe Kumbullës, ndërsa balotazh ka edhe për fashën e djathtë të mbrojtjes, ku Balliu pret një shans, paçka se Hysaj ishte lojtari më i mirë i tanëve kundër Serbisë.

LEXO EDHE: Dy klube të Bundesligës në garë për Armando Brojën! Chelsea kërkon 20 mln euro

Dilemë edhe për mesin e fushës dhe qendrën e sulmit, ku Bajrami dhe Daku duan një fanellë titullari. Nisur edhe nga kundërshtari dhe fakti se tanët duan patjetër lojë sulmuese, sot priten ndryshime nga braziliani i stolit.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Bajrami (Laçi); Hoxha (Muçi), Broja, Manaj (Daku) Trajner: Sylvinho

Në historinë mes dy skuadrave nuk ka asnjë fitues në pesë përballjet e mëparshme. Të pesta barazime, me skuadrat që kanë shënuar nga gjashtë gola në portat respektive. Ndërkohë, takimi i fundit i zhvilluar mes Shqipërisë dhe Letonisë daton më 4 shtatorin e vitit 1999, pra diçka më pas se 26 vite më parë.

Për herë të parë Shqipëria dhe Letonia u ndeshën më 11 nëntor 1992 në Tiranë, për kualifikueset e Kupës së Botës 1994. Ndeshja mbyllej në barazim 1-1, ndërsa në barazim pa gola (0-0) mbyllej sfida e kthimit në Letoni më 15 majin e 1993.

Më 10 shkurt 1998 Shqipëria dhe Letonia barazonin 2-2 në një turne të zhvilluar në Maltë.

Më pas dy skuadrat janë përballur në të njëjtin grup për kualifikueset e Euro 2000. Më 28 prill sfida në Letoni mbyllej 0-0, ndërsa në atë të kthimit në Tiranë dy skuadrat barazuan 3-3 më 4 shtator 1999.

RENDITJA – Grupin K kualifikues e kryeson Anglia me nëntë pikë pas tre takimeve të luajtura. Shqipëria me katër pikë mban vendin e dytë (humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës dhe barazim po në Tiranë kundër Serbisë). Letonia me dy ndeshje të luajtura mban vendin e tretë me tre pikë. Më pas Serbia me një pikë pas vetëm një ndeshje të luajtur dhe në fund Andorra me zero pikë pas tre ndeshjeve të luajtura.