Sport

Takim kokë më kokë te Interi, Kivu kërkon përforcimet e premtuara. Diskutohet edhe Asllani!

Në ambientet e klubit zikaltër, dje është zhvilluar një takim i rëndësishëm në zyrat qëndrore midis trajnerit Kristian Kivu dhe drejtuesve të Interit. Ky takim, vetëm dy ditë para fillimit të grumbullimit në “Appiano Gentile”, kishte për qëllim rishikimin e planifikimit për sezonin e ri dhe diskutimin mbi situatën aktuale të merkatos, e cila ndodhet në një fazë bllokimi.

Ademola Lukman vazhdon të jetë objektivi kryesor i merkatos së Interit. Klubi dhe lojtari kanë arritur një marrëveshje personale, por negociatat me Atalantën mbeten të ngrira. Zikaltrit kanë paraqitur një ofertë prej 40 milionë eurosh, ndërsa klubi bergamask nuk heq dorë nga kërkesa prej 50 milionë. Për momentin, palët nuk kanë bërë hapa përpara dhe qëndrimet mbeten të pandryshuara. Në pritje mbetet edhe transferimi i mbrojtësit të ri Xhovani Leoni nga Parma. Klubi emilian kërkon 35 milionë euro, por Interi duhet më parë të realizojë disa shitje për të përballuar këtë lëvizje.

Emri më i përfolur për largim është ai i mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani, i cili tashmë është me valixhe në dorë. Pavarësisht dëshirës së tij për të qëndruar në Itali, nuk ka ende një ofertë të përshtatshme në vlerën 16- 18 milionë euro. Në listën e largimeve të mundshme janë edhe Taremi, me interesime nga Premier Liga dhe Turqia, Bjukenan që mund të rikthehet përfundimisht te Vilareali, si dhe talenti i ri, Palasios, për të cilin drejtori sportiv Piero Ausilio pret të arkëtojë 5-6 milionë euro.

Gjatë ditës, në selinë e Interit është vërejtur edhe një qarkullim i agjentëve të ndryshëm. Në orët e pasdites janë parë Xhanmaria Montesano, përfaqësues i lojtarëve si: Zirkze, Duglas Luiz dhe Dodo, si dhe Xhuliano Bertoluçi, një figurë kyçe në futbollin brazilian. Megjithëse nuk pati komente nga ta. Besohet se bëhej fjalë për një vizitë kortezie. Më pas janë parë edhe agjentët Stefano Antoneli dhe Ferdinando Guarino. Ndërsa sezoni i ri afrohet, Interi mbetet në pritje të zhvillimeve konkrete për të ndërtuar një skuadër konkurruese, me Kivunë që tashmë ka rolin e tij qendror në projektin sportiv të klubit.