Rajoni

Takim me kryetarin e KQZ-së Kosovë, Osmani: Të ruhet integriteti i procesit zgjedhor!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, duke kërkuar ruajtjen e integritetit të procesit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, pas telasheve të vazhdueshme me të cilat është përballur platforma elektronike e raportimit të rezultateve.

Presidentja ritheksoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi, deklaroi Presidenca në një njoftim në Facebook.

Vonesat në fillimin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe problemet e njëpasnjëshme me faqen e KQZ-së, softueri i së cilës për raportimin e rezultateve, ra, po ngrejnë dyshime për integritetin e procesit zgjedhor.

Presidenca u shpreh se Radoniqi sqaroi para presidentes Osmani se KQZ-ja i ka njoftuar “menjëherë” institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve.

Njëkohësisht, presidentja është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

KQZ-ja njoftoi sot se numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës po zhvillohet në 19 prej 38 komunave të vendit. Numërimi nisi me një ditë vonesë, më 11 shkurt, vetëm në katër komuna, ndërsa në komunat e tjera nisi në ditët pasuese.

Këto vonesa mund ta shtyjnë shpalljen e rezultateve përfundimtare për shkak se pas numërimit të këtyre votave dhe verifikimit të atyre për subjektet politike, duhet të numërohen edhe votat jashtë Kosovës, ato me kusht e të personave me nevoja të veçanta.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), i cili e ka vëzhguar fushatën zgjedhore dhe votimin, tha të martën se vonesat “janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor”.

Sipas ligjit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve. Dje, KQZ-ja i hodhi poshtë dyshimet e ngritura rreth procesit zgjedhor, duke thënë se “integriteti i votës nuk është i cënuar”.

Pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre.