Rajoni

Takim Osmani-Sorensen: Trajtim të barabartë në dialog nga BE-ja!

Presidentja Vjosa Osmani kërkoi nga Bashkimi Europian që Kosovën ta trajtojë në mënyrë “të barabartë” në dialogun e Brukselit. Komentet i bëri pas një takimi të zhvilluar sot më të dërguarin e bllokut për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, i cili po viziton Kosovën për herë të parë që kur mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.

Në një postim në Facebook, Osmani informoi se Kosova “është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit”.

Prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog.

Blloku europian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionimin. Sorensen pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti e kryenegociatorin Besnik Bislimi, siç njoftuan autoritetet kosovare.

Sorensen ende nuk ka ndërmjetësuar ndonjë takim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por kohët e fundit ka punuar mbi mënyrat për të çuar përpara dialogun, duke takuar zyrtarë nga të dyja vendet. Ai e mori detyrën më 1 shkurt, duke pasuar Mirosllav Lajçakun.

Në takimin e fundit në Bruksel me ndërmjetësimin e Lajçakut, më 17 dhjetor, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët mbi personat e zhdukur. Muajin e kaluar, shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian (BE), Kaja Kallas, tha se po dëgjonte kritika rreth formatit të deritashëm të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Ajo paralajmëroi se së bashku me Sorensenin, po shqyrtonte mundësinë për ta bërë funksional dialogun mes dy vendeve fqinje. Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian që nga viti 2011. Vitet e fundit, dialogu është zhvilluar në nivel të lartë, mes liderëve të dy vendeve, si dhe kryenegociatorëve.

Gjatë mandatit gati 5-vjeçar të të dërguarit të kaluar të bllokut, Mirosllav Lajçak, në fillim të vitit 2023, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Akordi i panënshkruar është ligjërisht i detyrueshëm për palët, siç vuri në dukje blloku, i cili ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit.

Në të kaluarën, liderë të Kosovës, duke filluar nga presidentja Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qëndrim të pabalancuar në dialog e për rreshtim për nga Serbia me raste.