Bota

Takim SHBA-Iran në Oman/Tensione e mungesë besimi!

Irani nuk ka qenë kurrë më afër zhvillimit të një arme bërthamore ndërsa presioni amerikan ndaj Republikës Islamike, asnjëherë nuk ka qenë kaq i madh. Mes tensioneve të larta dhe mungesës së theksuar të besimit, negociatorët iranianë e amerikanë sot takohen në Oman, në përpjekje për të zgjidhur një krizë bërthamore që po thellohet.

Bisedimet zhvillohen mes kërcënimeve gjithnjë e më të ashpra nga Uashingtoni, përfshirë paralajmërimin e presidentit Donald Trump se “nëse është e nevojshme”, Shtetet e Bashkuara “patjetër” që do të përdorin forcën ushtarake kundër Iranit. Izraeli shprehet i gatshëm të luajë rol drejtues në këtë drejtim.

Përgjigjja e Iranit ka qenë sfiduese, duke lënë të kuptohet se rreziku është i madh për të dyja vendet, si dhe për rajonin më gjerë, në kohën kur delegacionet takohen në Oman.

Me përkushtim dhe vigjilencë të sinqertë, po i japim diplomacisë një mundësi të vërtetë. SHBA-të duhet ta vlerësojnë këtë vendim, që u mor pavarësisht propagandës konfrontuese që mbizotëron prej tyre, shkroi dje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, në një postim në X.

Formati i takimit është bërë çështje mospajtimi. Amerika ngul këmbë që bisedimet të jenë të drejtpërdrejta, por Irani  thotë të kundërtën. Pavarësisht debatit për formatin, rruga drejt këtyre bisedimeve ka qenë e gjatë dhe e pasigurt.

Pavarësisht përpjekjeve për të treguar vetëbesim dhe pretendimeve se mund t’i heqë qafe sanksionet amerikane, Teherani ka nevojë urgjente për marrëveshje. Ekonomia iraniane është mbase në gjendjen më të keqe që ka qenë ndonjëherë, sepse monedha ekombëtare po bie vazhdimisht kundrejt dollarit. Fuqia blerëse e qytetarëve vazhdon rënien dhe ndërprerjet e energjisë janë bërë pjesë e përditshme e verës dhe dimrit, pavarësisht pozitës së Iranit si fuqi energjetike globale.

Për Shtetet e Bashkuara është prioritet të mos e lejojë Iranin të fusë në duar armë bërthamore. Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor është paqësor e se kurrë nuk ka ndjekur synimin e armëve. Por, me administratën Trump që vazhdon të përmendë mundësinë e sulmeve ushtarake ndaj objekteve bërthamore të Iranit, më shumë zyrtarë iranianë po lënë të kuptohet se vendi do të ndërtojë armë bërthamore nëse detyrohet.

Sipas vlerësimeve, Irani mund të pasurojë mjaftueshëm uranium për një bombë të vetme në më pak se një javë dhe sasi për disa bomba brenda një muaji.