Bota

Trump e kërcënon sërish Iranin me përdorim të forcës ushtarake!

Donald Trump sërish kërcënoi se do të përdorë forcën ushtarake, nëse Irani nuk bie dakord për t’i dhënë fund programit të tij bërthamor dhe theksoi se Izraeli do të jetë “lider” i çdo sulmi të mundshëm. Presidenti amerikan shtoi se  “nëse është e nevojshme”, patjetër që Shtetet e Bashkuara do të përdorin forcën ushtarake.

Komentet i bëri pasi u pyet për bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre iranianë që do të zhvillohen këtë fundjavë në Oman.

Ne kemi kohë, tha Trump, duke shtuar se nuk ka ndonjë afat të përcaktuar për përfundimin e bisedimeve SHBA-Iran. Kur nisni bisedimet, e kuptoni nëse po ecin mirë apo jo. Dhe, unë do të thosha që përfundimi do të vijë kur të mendoj se ato nuk po ecin mirë. Pra, është thjesht një ndjesi.

Trump njoftoi për bisedimet më 8 prill gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Netanyahu deklaroi se mbështet përpjekjet diplomatike të Trump-it për të arritur marrëveshje me Iranin. Ai shtoi se Izraeli dhe Amerika ndajnë të njëjtin synim: të sigurohen që Irani të mos zhvillojë ndonjë armë bërthamore.

Trump vuri në dukje se nëse përdorimi i forcës ushtarake bëhet i nevojshëm, “Izraeli do të jetë goxha i përfshirë, natyrisht”. Të dyja palët e kanë paraqitur takimin në Oman si eksplorues për të parë nëse mund të zhvillohen negociata. Trump tha se bisedimet do të jenë “të drejtpërdrejta”, ndërsa Irani i ka përshkruar ato si bisedime “të tërthorta”.

Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë shumë në këto bisedime. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara janë gjithnjë e më të shqetësuara pasi Teherani duket më afër se kurrë zotërimit të një arme bërthamore. Irani ka këmbëngulur prej kohësh se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Në vitin 2015, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore arritën marrëveshje gjithëpërfshirëse bërthamore që kufizonte pasurimin e uraniumit nga Irani në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Por, Trump i tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-të nga marrëveshja në vitin 2018, duke e quajtur atë si “marrëveshjen më të keqe ndonjëherë”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shfaqi shpresën se bisedimet SHBA-Iran mund të përfundojnë në mënyrë paqësore, pasi Reuters raportoi se deri në 6 bombardues B-2 ishin zhvendosur në një bazë ushtarake SHBA-Britani në ishullin Diego Garcia, në Oqeanin Indian.