Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, konfirmon se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës e Serbisë, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit. Gjithashtu do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç takohen më 2 maj në Bruksel, me ndërmjetësimin e zyrtarëve europianë. Stano nuk preferoi të komentojë kritikat e bëra nga zyrtarët serbë për zgjedhjet e 23 prillit në veriun e Kosovës. Po ashtu nuk komentoi as ankesat e Beogradit lidhur me nisjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Ne kemi diskutuar për këtë çështje gjerësisht para dy ditësh. Mund të përsëris se ne nuk i komentojmë deklaratat e palëve, por presim që ata të përqendrohen në zbatimin e detyrimeve që kanë. Presim që të martën të kemi vazhdimin e dialogut, platforma e vetme për diskutim.
Si Kurti, ashtu dhe Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 2 majit.
Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve. Si pikë e parë e axhendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera.
I pyetur si pritet të shkojë përpara procesi, nëse nuk do të ketë përparim për themelimin e Asociacionit gjatë takimit të 2 majit, Stano përsëriti se BE-ja pret që palët të zbatojnë detyrimet.
Në përgjithësi, ne nuk spekulojmë rreth asaj se çfarë do të ndodhë nëse diçka nuk ndodh. Presim që palët të jenë të përkushtuara për të zbatuar detyrimet. Formimi i Asociacionit është një detyrim i qartë. Ne presim të lëvizim përpara dhe si lehtësues të bisedimeve, presim që të zbatohen detyrimet që palët kanë marrë përsipër.
Takimi i 2 majit do të zhvillohet në kohën kur Kosova akuzon Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji. Serbia votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.