Drafti i ri për taksën e pasurive të paluajtshme pritet të rrisë deri në 25% detyrimin e taksës së ndërtesës edhe për objektet që përdoren për qëllime tregtarë.
Në draftin e ri “Për taksën e Pasurive të Paluajtshme”, Ministria e Financave propozon rritje të shkallës së taksës ndërtesës për objektet që përdoren për qëllim tregtar, por edhe propozon ndryshim të metodologjisë për llogaritjen e detyrimit.
Aktualisht, për ndërtesat që përdoren për qëllim tregtar shkalla e taksës është 0,2% e vlerës së dyqanit.
Formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.
Për qytetet e tjera, çmimi i vlerës së dyqaneve është 1,5 herë më shumë se ai për metër katror i apartamenteve. Për bizneset e rretheve, niveli i taksës së ndërtesës nuk ndryshon, pasi nuk kanë ndryshuar çmimet e referencës, mbi bazën e të cilës llogaritet vlera e ndërtesës.
Konkretisht, nëse një pronar dyqani me sipërfaqe 100 metër katror me vendndodhje në zonën kadastrale 1/1 që në terren përfshin zonat, si: Kinema “Ali Demi”, Fusha e Sportit, fshati Shkozë, Depo e Ujit; 1/2 Poligrafiku, Shkoza, Autotraktorët, LanaBregas, Linzë, Sauk ku çmimi i referencës së apartamenteve të miratuara më 2023-shin është 102,800 lekë për metër katror, paguan në vit 41,120 lekë detyrim për taksën e ndërtesës.
102,800 lekë/m2 (çmimi fiskal) x2 = 205,600 lekë (çmimi i referencës 100 m2 = 20,560,000 lekë vlera e dyqanitx0.2% (shkalla e taksës) = 41,120 lekë detyrimi vjetor.
Krahasuar me çmimet e referencës së vitit 2018, detyrimi vjetor për taksën e ndërtesës për këtë pronar u rrit 2,040 lekë në vit apo 5% më tepër.
Me projektligjin e ri propozohet rritje të shkallës së taksimit për ndërtesat me qëllim tregtar nga 0.2% që është aktualisht, në intervalet 0.15% deri në 0.25%. Shkalla e taksës propozohet me rritje deri 25% nga sa është aktualisht.
Por, vlera e pronës në këtë rast dyqanit nuk do të llogaritet më me dyfishin e çmimeve të referencës.
Bazë për llogaritjen e taksës do të merret vlera e pronës që përdoret për aktivitet tregtar, por sipas çmimeve mesatarë për dyqanet do të jenë të reja të përcaktuara në hartën e vlerës së re të pronave. Për dyqanet, çmimet mesatare do të jenë më të larta se të apartamenteve.
Për një dyqan me vlerë 20,5 milion lekë, llogaritur me shkallën maksimale të taksës prej 0.25%, detyrimi vjetor arrin 51,140 lekë në vit apo 10,280 lekë më shumë apo 25% më tepër.
Po ashtu, për kategoritë e tjera të ndërtesave përfshirë garazhet e mbyllura, të hapura, ambientet sportive, vlera e pronës me qëllim taksimin do të vijojë të mbetet sa 50% e vlerës. Ndërsa shkalla e taksës do të jetë sa nivelet e propozuara për ndërtesat nga 0.15 deri 0.25%. /Monitor