Bota

Talebanët: “Lugina Panjshir në duart tona!”

Talebanët në Afganistan pretendojnë se kanë marrë kontrollin e plotë të luginës Panjshir, ku hasën në rezistencë.

Zëdhënësi Zabihullah Mujahid:

Me këtë fitore, vendi ynë është plotësisht jashtë luftimeve. Disa prej rebelëve u mundën, të tjerë u arratisën. Nuk do të ketë diskriminime ndaj njerëzve të Panjshirit: “Ju të gjithë jeni vëllezërit tanë, bashkë do t’i shërbejmë një objektivi e një kombi!”.

Pas njoftimit të talebanëve, Fronti i Rezistencës Kombëtare të Afganistanit, NFR bëri të ditur se vazhdojnë luftimet dhe se janë në pozicione strategjike përgjatë luginës.

Lufta kundër talebanëve e aleatëve të tyre do të vazhdojë!

Ndërkaq, mësohet se në Afganistan u vra zëdhënësi i rezistencës anti-talebane. Fahim Dashtay ra në betejë ndërsa është veçuar si personalitet i spikatur mediatik në qeveritë e mëparshme afgane.

Ahmad Massoud, kreu i Frontit të Rezistencës Kombëtare të Afganistanit, NFR ka njoftuar se grupi i tij është gati të ndërpresë luftimet nëse talebanët i japin fund sulmeve e lëvizjes ushtarake në Panjshir e Andarab.

Po bombardohemi nga dronë pakistanezë, jemi nën pushtimin direkt të ISI-t, Agjencisë së Inteligjencës së Pakistanit.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken udhëtoi drejt Katarit, në të parën vizitë atje që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan. Objektivi i Blinken-it është të krijojë një front të bashkuar me aleatët pasi vendi i pasur i Gjirit Persik përbën epiqendër të diplomacisë për Afganistanin. Zyrtarët e tij kanë mbajtur lidhje të ngushta me talebanët e rikthyer në pushtet prej mesit të gushtit.