Administrata e talebanëve thotë se vendimi që gratë afgane të mos lejohen të punojnë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), është “një çështje e brendshme”. Kjo përgjigje erdhi pasi organizata me shtrirje globale shprehu shqetësim për situatën e krijuar dhe njoftoi se do të rishikojë vendimin për të zhvilluar projekte në Afganistan.
Pas vërejtjes së OKB-së në lidhje me kufizimet e reja që u vendosën javën e kaluar, Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i talebanëve, shprehet se “ky vendim duhet të respektohet nga të gjitha palët”.
Duke qenë se vendimi do t’i shkelte statutin, OKB-ja bëri të qartë se nuk mund ta pranojë. Të gjithë punonjësve, kjo organizatë iu kërkoi të mos punojnë në zyrat e organizatës deri më 5 maj, në kohën kur OKB-ja vazhdon të kryejë konsultime e po rishikon operacionet e saj.
Një ditë më parë, Misioni i OKB-së në Afganistan tha se “administrata talebane do të jetë përgjegjëse për çdo ndikim negativ humanitar në këtë proces”.
Në një deklaratë, Mujahid akuzoi qeveritë e vendeve të huaja për situatën humanitare të shkaktuar nga sanksionet e vendosura ndaj sektorit bankar dhe ngrirjes së aseteve të Bankës Qendrore Afgane që gjenden jashtë vendit. Disa prej këtyre aseteve janë vendosur në një fond mirëbesimi zviceran.
Disa diplomatë dhe zyrtarë të ndihmës në Afganistan, si dhe në mbarë botën kanë shprehur shqetësimin se donatorët do të tërheqin mbështetjen për programin më të madh të ndihmës humanitare në Afganistan. Sipas tyre, zbatimi i programeve dhe komunikimi me gratë e vajzat në këtë vend konservator do të jetë i pamundur nëse grave u ndalohet puna në OKB.
Autoritetet talebane në dhjetor njoftuan se shumica e punonjësve femra të organizatave joqeveritare afgane nuk do të lejohen të punojnë. Agjencia humanitare e OKB-së ka njoftuar se një plan i madh për Afganistanin për vitin 2023 është financuar më pak se 5%.
Nëse një plan financimi nuk sigurohet urgjentisht, miliona afganë do të përballen me urinë, sëmundje dhe vdekje.