Tech Top Tech - News

Tani gjithçka e ke në iPhone/Nga kartat e kreditit, biletat e avionit dhe deri tek çelsi i makinës! Ja si është e mundur…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Apple Wallet

Apple Wallet ka ndryshuar mënyrën si mbajmë kartat. Nga kartat e kreditit, biletat e avionit dhe deri tek çelsi i makinës – gjithçka e ke në iPhone. Tani Apple ka shtuar edhe një gjë akoma më të madhe: mund të kesh ID ose patentën direkt në Wallet. Në Amerikë, tashmë mund të përdorësh telefonin në vend të dokumentit fizik për të hyrë në koncert, për të verifikuar moshën apo edhe për të kaluar në disa pika në aeroport. Gjithçka është private dhe transparente: ti sheh çfarë ndan dhe vetëm me Face ID lejon përdorimin e të dhënave. Në teori, është e ardhmja – nuk ke më nevojë për portofol.

Tani imagjinoje këtë në Shqipëri. Ti ke futur patentën dhe kartën e identitetit në iPhone dhe je super krenar. Ecën rrugës, të ndalon policia. Ai të thotë:

– “Dokumentet e makinës dhe patentën, të lutem.”

Ti nxjerr iPhone me stil, e hap Wallet-in dhe ia shfaq.

– “Ja, patenta ime, është digjitale.”

Polici e shikon ekranin, i afrohet edhe të thotë:

– “Po mirë ore djalë, po kjo mund të jetë fallco. Unë dua të shoh kartën fizike”

– “Jo, është e vërtetë, shiko Face ID, shiko logon e shtetit…”

– “Eee, s’bën, s’bën. Dua ta shoh fizikisht, se këtë ta bën edhe kushëriri im tek Photoshop.”

Këtu kupton realitetin: teknologjia shkon me 300 km/h, por mentaliteti ende ecën me 30 km/h. Apple na premton një të ardhme pa portofol, por për momentin, në Europë – e sidomos në Shqipëri – më mirë mbaje edhe kartën fizike. Se ndryshe, të vjen gjoba ballit..