Apple thuhet se është duke organizuar fluturime mallrash për të transportuar iPhone nga fabrikat e saj indiane në SHBA, në një përpjekje për të mposhtur tarifat e Donald Trump. Kompania e teknologjisë ka dërguar 600 ton iPhone, ose deri në 1.5 milion celularë, në SHBA nga India që nga marsi, pasi rriti prodhimin në fabrikat e saj në vend. Tarifat e Trump-it prej 26% për importet indiane janë pezulluar për rreth tre muaj pasi presidenti amerikan thirri një pauzë 90-ditore, por ai ka njoftuar se tarifat për mallrat nga Kina ku Apple mbledh shumicën e iPhone-ve të saj do t’i nënshtrohen një takse prej të paktën 145%.
Një burim i njohur me planifikimin pas lëvizjes tha se Apple dëshironte të mposhtte tarifën. Importet në SHBA nga India ende përballen me një tarifë sipas politikës së Trump-it, por me një normë të reduktuar prej 10%. Analistët kanë paralajmëruar se çmimet e iPhone mund të rriten pasi SHBA vendosi tarifën e saj më të lartë për importet nga Kina, me bankën e investimeve UBS që vlerëson se një iPhone 16 Pro Max me 256 GB hapësirë ruajtëse mund të rritet me më shumë se dy të tretat, në gati 2,000 dollarë nëse Apple kalon një pjesë të konsiderueshme të tarifës. Apple ka tre fabrika në Indi të operuara nga Foxconn dhe Tata.
Analistët nga Bank of America kanë paralajmëruar se zhvendosja e montimit të pajisjeve iPhone nga Kina në SHBA mund të rrisë kostot e prodhimit deri në 90 për qind. Ata shtojnë se edhe pse teknikisht është e mundur që montimi i modeleve iPhone të bëhet në Amerikë, kjo do të rrisë ndjeshëm kostot dhe do të krijojë ndërlikime logjistike. “Çmimi i një iPhone-i mund të rritet me 25 për qind vetëm për shkak të kostove më të larta të fuqisë punëtore në SHBA”-shkruan analistët në një letër drejtuar klientëve. Ata sqarojnë se, edhe nëse Apple gjen punëtorë vendas për montimin final, një pjesë e konsiderueshme e përbërësve të iPhone-it do të duhet ende të prodhohen në Kinë dhe të importohen në SHBA.