Apple ka paditur OpenAI në Gjykatën Federale të Kalifornisë Veriore, duke e akuzuar për përvetësim të sekreteve tregtare dhe shkelje kontrate. Sipas kompanisë, OpenAI ka përdorur informacione konfidenciale të Apple për të zhvilluar pajisjet e saj të reja te inteligjencësartificiale, të cilat pritet të prezantohen më vonë gjatë këtij viti.
Apple pretendon se kishte ngritur shqetësimet e saj pranë OpenAI gjatë fazave të para të hetimit, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Në qendër të padisë janë dy ish-punonjës të Apple, Chang Liu dhe Tang Tan, të cilët më pas iu bashkuan OpenAI.
Sipas padisë, Liu mori me dhjetëra dokumente konfidenciale që përmbanin informacione mbi produkte të papublikuara, specifikime teknike dhe projekte të brendshme, ndërsa nuk dorëzoi laptopin e punës e dyshohet se hyri edhe në kompjuterin e një ish-kolegu pas largimit nga kompania.
Apple pretendon gjithashtu se Tan përdori informacione të brendshme gjatë rekrutimit të punonjësve dhe ndau me OpenAI të dhëna mbi furnitorët dhe projektet e kompanisë. Padia përfshin edhe kompaninë io Products, të themeluar nga ish-shefi i dizajnit të Apple, Jony Ive, të cilën OpenAI e bleu vitin e kaluar.
Megjithatë, Ive nuk është i paditur dhe Apple nuk e akuzon atë për ndonjë shkelje. Nga ana tjetër, OpenAI ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka interes për sekretet tregtare të kompanive të tjera dhe se fokusohet vetëm në zhvillimin e teknologjive inovative.
Padia vjen në një kohë kur rivaliteti mes Apple dhe OpenAI është intensifikuar, pavarësisht partneritetit të shpallur në vitin 2024 për integrimin e ChatGPT në produktet e Apple. Të dyja kompanitë po garojnë për të dominuar tregun e inteligjencës artificiale, me OpenAI që po investon në pajisje të reja hardëare-i dhe Apple që po përgatit një version të avancuar të Siri-t.