Aktualitet

Të ardhurat nga fasoneria në rënie për të tretin tremujor radhazi!

Të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga shërbimet e punës me porosi pësuan rënie për të tretin tremujor radhazi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2024, të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria kishin vlerën e 140 milion eurove, 29% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për 9-mujorin, Banka Qendrore raporton të ardhura totale nga fasoneria në vlerën e 498 milion eurove, në rënie me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse përjashtojmë vitin pandemik 2020, kjo është rënia e parë e të ardhurave nga fasoneria prej 2013-ës.

Në vitet e fundit, sektori i fasonerisë  është goditur rëndë nga mbiçmimi i fortë i lekut në kursin e këmbimit me euron. Ky mbiçmim ka vijuar edhe gjatë vitit 2024 e kursi ka arritur rekorde të reja historike në ulje, pranë kufirit të 98 lekëve.

Në fakt, vlerësohet se rënia e të ardhurave nga fasoneria e shprehur në monedhën vendase është edhe më e lartë. Duke qenë se bilanci i pagesave paraqitet në euro, kriza e fasonerisë në një pjesë të saj “mbulohet” edhe nga efekti i kursit të këmbimit.

Të dhënat paralele të INSTAT-it tregojnë një rënie pak më të lartë të eksporteve për grupin kryesor të lidhur me fasonerinë. Grupi “Tekstile dhe këpucë” për 10-mujorin 2024 pësoi rënie të eksporteve në masën 21% më pak, krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa grupi tjetër, “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, ka pësuar një rënie më të lehtë të eksporteve, me 5.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shifrat e INSTAT-it raportojnë vlerën totale të produkteve të eksportuara (ose rieksportuara), ndërkohë që statistikat e Bilancit të Pagesave paraqesin vlerën e shtuar të procesit të përpunimit të shprehur në valutë të huaj.

Industritë eksportuese në periudhën pas rënies së komunizmit kryesisht janë të përqendruara në ato sektorë që shfrytëzojnë një kosto pune më të ulët krahasuar me ekonomitë e zhvilluara e ku vlera e shtuar është e kufizuar.

Historikisht, fasoneria ka qenë e përqendruar te prodhimi i veshjeve dhe këpucëve me porosi nga jashtë vendit, por në vitet e fundit është rritur gjithnjë e më shumë sektori i industrisë automotive, i lidhur me prodhimin e pjesëve të këmbimit për automjetet ose të tjera produkte industriale.

Fasoneria, historikisht ka qenë një nga kontribueset kryesore në ecurinë pozitive të llogarisë së shërbimeve në Bilancin e Pagesave. Bilanci tregtar pozitiv në shërbime i ka mundësuar ekonomisë shqiptare të zbusë pjesërisht deficitin e thellë tregtar në mallra./Monitor