Në Britani ka një profesion të pazakontë që po bëhet gjithnjë e më fitimprurës; terapisti i përqafimeve. Po, ekziston vërtet dhe disa prej tyre fitojnë deri në 100 mijë paund në vit vetëm duke përqafuar njerëz. Seancat zgjasin nga 60 deri në 75 minuta dhe janë plotësisht platonike. Qëllimi nuk është romanca, por krijimi i një ndjenje ngrohtësie, qetësie dhe lidhjeje emocionale. Shumë klientë kërkojnë thjesht pak afërsi njerëzore dhe ndjesinë se dikush i dëgjon pa paragjykim.

Ky profesion është pjesë e një industrie që po rritet me shpejtësi në Britani, “terapia përmes prekjes”, ku theksi vihet te mirëkuptimi, komunikimi dhe respektimi i kufijve personalë. Studimet e Universitetit të Karolinës së Veriut tregojnë se përqafimet e rregullta ulin nivelin e kortizolit (hormonit të stresit), stabilizojnë tensionin e gjakut dhe forcojnë sistemin imunitar. Por çelësi është rregullsia: katër përqafime në ditë janë minimumi për të mbijetuar, tetë për mirëmbajtje emocionale, dhe dymbëdhjetë për të lulëzuar vërtet. Marrja e më pak se kaq, me kalimin e kohës, mund të rrisë stresin, ndjenjën e vetmisë dhe simptomat e depresionit.
Një studim i ri psikologjik ka zbuluar se përqafimet nuk janë vetëm një shenjë dashurie apo ngushëllimi, por edhe një “ilaç natyral” për trupin dhe mendjen. Sipas kërkimeve të udhëhequra nga psikologu Sheldon Cohen, njerëzit që marrin përqafime të rregullta janë më pak të rrezikuar nga infeksionet dhe sëmundjet, ndërsa ata që sëmuren përjetojnë simptoma më të lehta dhe shërim më të shpejtë. Studiuesit theksojnë se përqafimi luan një rol të rëndësishëm në forcimin e sistemit imunitar dhe në uljen e stresit. Kur përqafohemi, trupi ynë redukton aktivitetin në boshtin hipotalamo-pituitaro-adrenal (HPA), i cili është përgjegjës për prodhimin e hormoneve të stresit.