Bota

Të paktën 15 të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë!

Lufta në Ukrainë sot hyri në ditën e 1 mijë e 210-të. Gjatë natës, forcat ruse sulmuan Kievin me një seri bombardimesh në qytet e që shkaktuan të paktën 15 vdekje. Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme ruse ka akuzuar Britaninë e Madhe për përfshirje në planifikimin dhe mbështetjen operative të atyre që i quan “sulme terroriste në tokën ruse, të kryera nga agjentë të Inteligjencës ukrainase”.

Në veçanti, Moska drejton gishtin në serinë e sulmeve të kryera më 1 qershor kundër aeroporteve të Forcave Hapësinore Ruse, si dhe sabotimin e infrastrukturës hekurudhore në rajonet Bryansk e Kursk. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës njoftoi se nga Rusia mori trupat e 1 mijë e 245 ushtarëve të tjerë të vrarë në luftë dhe pretendon se marrëveshja e arritur në Stamboll për riatdhesimin e trupave të 6 mijë ushtarëve ukrainas ka “përfunduar”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky denoncoi sulmin masiv rus në disa qytete të vendit, përfshirë kryeqytetin Kiev, me 15 vdekje të konfirmuara.

U përdorën më shumë se 440 dronë dhe 32 raketa, shkroi udhëheqësi ukrainas në X. Kievi u përball me një nga sulmet më të tmerrshme. Përveç kësaj, gjatë natës, u goditën rajonet e Odesës, Zaporizhzhisë, Chernihivit, Zhytomyr, Kirovohrad, Mykolaiv”. Në Kiev, operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar për të nxjerrë njerëz nga rrënojat e një godine banimi. Ende nuk është e qartë se sa janë të bllokuar. Rusët kanë shkatërruar një pjesë të tërë të kompleksit të apartamenteve.

Numri i të plagosurve në sulmin ajror rus në Kiev gjatë natës është rritur në 99, raportoi Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës në Telegram. Sipas Qendrës Mjekësore të Urgjencës të qytetit, 59 nga të lënduarit u shtruan në spital. Autoritetet thanë se 120 ekipe emergjence u dërguan në zonat e prekura nga sulmet ruse.

Sipas ekipeve të shpëtimit dhe policisë, bilanci i përkohshëm i viktimave mbetet 15.

Shërbimet e emergjencës vazhdojnë të ndërhyjnë për të eliminuar pasojat e bombardimeve, tha Ministria e Shëndetësisë. Sipas të dhënave fillestare, 27 zona të ndryshme të kryeqytetit ukrainas u goditën nga sulmet ruse gjatë natës.