Në disa vende si Gjermania dhe Austria, ligji mbron të drejtën e fëmijëve mbi fotot e tyre. Kjo do të thotë se pasi mbushin rreth 14 vjeç, prindërit nuk mund të postojnë fotot e tyre në internet pa lejen e tyre. Kur fëmijët janë të vegjël, prindërit vendosin për ta. Por kur rriten dhe fillojnë të kuptojnë se interneti nuk harron, ata fitojnë të drejtën të vendosin vetë si dhe ku shfaqen online.

Psikologët theksojnë se e drejta mbi imazhin personal është veçanërisht e rëndësishme gjatë adoleshencës, një periudhë kur të rinjtë po formojnë identitetin e tyre. Kontrolli mbi mënyrën se si paraqiten në publik i ndihmon ata të ndihen të respektuar dhe më të sigurt në vetvete. Gjithashtu, kërkimi i lejes përpara publikimit të fotove forcon besimin dhe marrëdhëniet familjare. Postimet pa pëlqim mund të shkaktojnë turp, zemërim dhe distancë emocionale mes prindërve dhe fëmijëve.
Studimet tregojnë se mënyra se si fëmijët lidhen me të tjerët që në moshë të hershme mund të parashikojë suksesin e tyre në jetë. Një hulumtim i fundit nga Pennsylvania State University zbuloi se fëmijët që në kopsht dinë të bashkëpunojnë, të ndajnë lodrat dhe të komunikojnë në mënyrë efektive kanë më shumë gjasa të arrijnë rezultate të larta akademike dhe të ndërtojnë karriera të qëndrueshme.
Sipas studiuesve, këta fëmijë shfaqin më pak probleme sjelljeje, përballojnë më lehtë sfidat sociale dhe emocionale dhe krijojnë marrëdhënie të shëndetshme. Ekspertët theksojnë se suksesi nuk lidhet vetëm me inteligjencën akademike, por edhe me inteligjencën emocionale, e cila fillon të zhvillohet që në kopsht.