Ky episod i “Top Tech” me Mateo Kadriun eksploron disa nga temat që po çmendin botën e teknologjisë! Nga turizmi hapsinor deri tek robotët që luajnë basketboll. Teknologjia po na e bën jetën si një For You Page TikToku. Plot surpriza dhe që s’ka fund. Le t’i marrim me rradhë…
Teknologjia dhe shëndeti mendor në 2025
Në 2025, stresi yt ka një kundërshtar të ri: Teknologjinë! Aplikacionet e reja të shëndetit mendor tani janë si një mik i ngushtë që të kujton: “Pusho pak, ke bërë shumë për sot!” Imagjino një app që të monitoron humorin bazuar në mënyrën si shtyp butonat. Dhe nëse po shan dikë në trafik? Asistentja dixhitale të thotë me një zë të ëmbël: “Merr frymë adhe kujto që makina e atij tjetrit kushton më shumë se jeta e tij.”
Për shembull, Muse 2, një pajisje e avancuar që vendoset në kokë, ndihmon në monitorimin e aktivitetit të trurit dhe të sygjeron ushtrime meditimi në kohë reale. Ose Apple Vision Pro, i cili kombinon realitetin virtual me një ambient relaksues për të të çuar në një “botë qetësie” ku mund të largohesh nga stresi dhe të rigjesh fokusin.
Teknologjia më në fund po na ndihmon të mbijetojmë në një botë plot email-e, takime dhe shefa që duan gjithçka “tani!” Epo, jo më! Tani mund të shijosh momente relaksi të mirëfillta – falë pajisjeve dhe aplikacioneve që kujdesen për shëndetin tënd mendor si të ishte një pasuri kombëtare.
Teknologjia për bujqësinë e qëndrueshme
Fermerët më në fund do bëjnë pushime! Në 2025, mendohet që robotët do të mbjellin, dronët të ujisin, dhe një aplikacion të njofton kur domatet janë gati për t’u vjelur. Teknologjia ka avancuar aq shumë, sa tani edhe pulat do kenë sensorë për të monitoruar produktivitetin e vezëve. Dhe për tokën? Ajo e di kur është e lodhur dhe kur ka nevojë për një “pushim,” falë analizave të sofistikuara.
Për shembull, John Deere, kompania ikonike e makinerive bujqësore, ka krijuar paisje si See & Spray, që përdorin inteligjencë artificiale për të identifikuar bimët e këqija dhe për t’i spërkatur saktësisht, duke kursyer pesticide dhe duke mbrojtur mjedisin. Pastaj kemi DJI Agras, një linjë dronësh që nuk fotografojnë plazhin – këta janë krijuar për tu dhënë ujë dhe ushqim të përpiktë bimëve, sikur të ishin kamarierë bujqësorë.
Nuk mund të harrojmë edhe Blue River Technology, që po zhvillon robotë autonomë që dinë të dallojnë se cila bimë ka nevojë për kujdes dhe cila po bën “qejf” në fushë. Po, një ditë këta robotë do të jenë aq të mençur, sa mund të bëjnë edhe punën e fermerit, ndërkohë që ai shijon serialin e tij të preferuar në Netflix. Me gjithë këto teknologji, duket sikur bujqësia po bëhet një version “high-tech” i fermës së gjyshit – vetëm se tani është gjyshi ai që pyet: “Kush është ky dron që më zë vendin në fushë?”
Energjia e gjelbër dhe panelët diellor
A e di që dielli s’është më thjesht për nxirje? Në 2025, energjia diellore është bërë më e lirë dhe më e përballueshme se kurrë. Tesla Solar Roof Tiles po ndryshojnë komplet tregun: janë panele aq të hollë sa duken si çati të zakonshme, por me ato ske nevojë të paguash më për dritat. Nëse Tesla s’të bind, shiko First Solar Seria 7 – më të vogla, më të fuqishme dhe më të lehta për t’u instaluar. Kjo është për ata që duan energji pa kokëçarje.
E bukura? Teknologji të reja si perovskite kanë ulur kostot e prodhimit, duke i bërë panelet më të lira se kurrë. Dhe me bateritë e SunPower, energjinë diellore e ke në dispozicion 24/7 – qoftë për të parë Netflix, apo për të ndezur dritat e shtëpisë kur ikin dritat.
Në vend të faturave që të shtrydhin xhepat, tani ke energji të pastër dhe të lirë. Çdo rreze dielli që kap kursen para dhe ndihmon planetin. E, pse mos ta bësh? Përfiton ti dhe toka jonë. Dielli është këtu, po ti? A do ta marrësh fuqinë e tij në dorë?
Turizmi Hapësinor: Pushime në Yje!
Harroje plazhin këtë verë – tani pushimet janë në hapësirë! Në 2025, turizmi hapësinor nuk është më vetëm për miliarderët. Kompani si SpaceX, Blue Origin, dhe Virgin Galactic po ofrojnë bileta “last-minute” për një udhëtim në orbitë. Po, tani mund të bësh selfie me Tokën në sfond – si një influencer galaktik!
SpaceX po çon njerëz në Stacionin Hapësinor ndërkombëtar dhe më tej. Blue Origin, nga ana tjetër, të ofron një udhëtim 10-minutësh që përfundon para se të ftohet çaji në termusin tënd. Ndërsa Virgin Galactic po bën një ofertë fantastike: “Blini një biletë, dhe merrni gravitet zero falas!”
E di çfarë është më e bukura? Tani mund të ikësh nga qyteti dhe trafiku pa fund – sepse hapësira nuk ka semaforë. Po shqetësohesh për bagazhet? As ato s’duhet të marrësh, se në hapësirë s’të duhen as rroba të ngrohta!
Por prit pak, një biletë ende kushton sa një apartament në Tiranë, por hej, çfarë vlere ka një banesë krahasuar me shikimin e Tokës nga lart? Ato pamje janë më të bukura se një perëndim në Dhërmi. Hapësira po bëhet realitet, a je gati për pushimet më të çmendura të jetës?
AI Tool FIND-AF: Zemra jote në duart e teknologjisë
Tani AI po kujdeset edhe për zemrën tënde. Një ekip nga Universiteti i Leeds-it dhe Leeds Teaching Hospitals ka krijuar FIND-AF, një algoritëm që zbulon fibrilacionin atrial (AF) para se të ndodhin problemet e mëdha. Fibrilacioni atrial është thjesht një çrregullim i zakonshëm i ritmit të zemrës.
Ky AI është financuar nga British Heart Foundation dhe Leeds Hospitals Charity dhe analizon të dhënat e miliona pacientëve për të zbuluar shenja paralajmëruese. Nëse je në rrezik, merr një pajisje të vogël ECG për të matur ritmin e zemrës dy herë në ditë për katër javë. Dhe nëse AI gjen probleme, mjeku yt informohet menjëherë – pa panik, pa dridhje zemre!
Një pacient tha: “S’kisha asnjë simptomë, por AI më shpëtoi. Tani marr disa ilaçe dhe jam në rregull!”
Pra, ndërsa shokët e tu ankohen për teknologjinë, ti mund të thuash: “O Bro, po ne me AI po mbahemi gjallë!” Kush tha që algoritmet janë vetëm për matematikë? Tani, ato janë mjekët më të mirë në lojë.
CUE: Roboti që luajti basketboll… dhe po vesh Air Jordan
Të shkëputemi pak nga AI dhe të flasim se si robotët po na e kalojnë dhe në sporte. Toyota ka ndërtuar një robot që luan basketboll, quhet CUE. Jo vetëm që gjuan trepikësha më mirë se kushdo, por nuk gabon asnjëherë. Po flasim për një makineri që i bën të gjithë koshat – nga cepi i fushës, në mes, dhe nuk lodhet kurrë. KURRË!
Imagjino sikur të ishte CUE në një fushë, duke sfiduar LeBron James. LeBron, i lodhur, kërkon pushim, ndërsa roboti thotë: “Më sillni më shumë konkurentë!” Dhe pastaj ke James Harden, që përpiqet ta mashtrojë me driblime të ndërlikuara… por çfarë kuptimi ka, kur CUE thjesht skanon çdo lëvizje dhe e bllokon si një makineri perfekte mbrojtëse?
E di çfarë është qershia mbi tortë? Mbase në të ardhmen ai do mund të veshë Air Jordan. Jo, seriozisht! Roboti që ka shije për modë. Me ato këpucët, duket sikur është gati të nënshkruajë kontratë me Nike dhe të marrë pjesë në një reklame të Michael Jordan.
Nëse kjo është e ardhmja e sporteve, ndoshta kemi nevojë për një NBA të re: “National Robot Association.”
8Sleep
Imagjino një krevat që të kupton më mirë se playlist-at e tua në Spotify. 8Sleep, me fuqinë e AI-it, ndryshon temperaturën e shtratit në kohë reale që të të zejë gjumi më shpejt dhe pa zgjime të panevojshme. Po, ky është dysheku që të duhet në dhomën tënde.
E ke parasysh ndonjëherë atë ndjesinë kur se di a je duke fjetur apo po piqesh si në furrë? 8Sleep thotë: “Relaksohu, e kam unë nën kontroll.” Je ngrirë si akullore? Bam, temperatura ngrihet. Ndihesh sikur je në Sahara? Të bën akull. Dhe e gjitha kjo ndodh pa bërë asgjë – si një marrëdhënie perfekte.
Dhe kjo s’është vetëm për ty. Nëse ndan shtratin me dikë që fle si pinguin ndërsa ti po shkrin nga vapa, 8Sleep krijon dy zona të ndara. Ti në Alaskë, ata në Tropik.
Përfitimi? Gjumë më i mirë, më shumë energji, dhe një zgjim pa alarm që të ndihesh si në reklamat e kafesë. Gen Z? Kjo është për ty – më pak netë me “all nighters,” dhe më shumë “beauty sleep.” 8 Sleep të siguron të pakten 1 orë më tepër gjumë.
Pajisjet shëndetësore: Apple Watch & Whoop Strap – Trup në formë, jetë në kontroll
A e ke menduar ndonjëherë që ora jote mund të të njohë më mirë se vetja? Apple Watch dhe Whoop Strap janë pajisje që s’janë thjesht “cool”, por janë trajneri yt personal, doktori yt dixhital, dhe shoku që s’të lë të hash hamburgerin e tretë.
Apple Watch? Jep më shumë detaje se një raport shkencor: numëron rrahjet e zemrës, mat nivelin e oksigjenit në gjak, dhe të tregon kur duhet të ngrihesh nga divani. Madje të kujton: “Hej, merr frymë. Jeta s’është aq serioze!” Dhe nëse bie nga biçikleta, ajo s’bën vetëm panik – thërret ambulancën!
Pastaj ke Whoop Strap, për ata që e marrin seriozisht stërvitjen (ose duan të duken si ata që e marrin seriozisht). Ai mat gjithçka: sa ke fjetur, sa je lodhur, dhe kur është momenti ideal për të dalë në palestër. Në fakt, ai ndoshta do të të thotë: “Mos e shty veten sot – ke nevojë për pushim.” Është aq nice sa edhe Ronaldo e ka një, ose shumë.
RTX Seria 50: GPU që po çmend botën sot
NVIDIA sapo hodhi në treg RTX Serinë 50 këtë të martë që shkoi, dhe kjo s’është më thjesht një kartë grafike – është një makineri AI që duket sikur erdhi nga e ardhmja. Me arkitekturën e re Blackwell, këto GPU përdorin Neural Rendering, teknologjinë që të përmirëson grafikën në kohë reale. E thënë ndryshe, në vend të “Ultra Settings”, tani ke “AI Settings” – sepse kush ka kohë për grafika mesatare?
Neural Rendering është si një Picasso i fshehur në kompjuterin tënd. AI krijon imazhe të detajuara, të pastra dhe më realistike se një video në TikTok. Edhe nëse nuk luan si pro, me këtë GPU, lojërat duken sikur ti je boss-i i tyre. Dhe mos harro, DLSS 4.0 është këtu për të rritur performancën dhe për të bërë çdo lojë të duket si një film me buxhet të lartë.
Edhe më e mirë? RTX 5090 ka më shumë fuqi se gjysma e serverave të YouTube-it. Lojërat, renderimi i videove, madje edhe meme-t, tani janë më të shpejta, më të bukura dhe më të qarta. Pra, RTX Seria 50 është këtu për të shkatërruar çdo standard grafik.
Eksplorimi i oqeaneve me robotikë të avancuar: Oqeani, Por High-Tech
Të gjithë po flasim për eksplorimin e hapësirës, por a e di që ne ende dimë më pak për oqeanet sesa për Marsin? Këtu hyjnë në lojë robotët. Po flasim për makineri high-tech si ROV Hercules dhe OceanOne, që janë James Bond-i i thellësive. Po kërkon “Titanikun”? Ata e kanë bërë të mundur, madje e kanë parë nga më afër se çdo turist.
OceanOne, i krijuar nga Stanford, është një robot humanoid që zhytet në thellësi dhe lëviz me precizion. Ai jo vetëm që kap objekte historike nga fundi i oqeanit, por i sjell në sipërfaqe si një “unboxing” gjigant. Dhe më e bukura? Ai nuk lodhet kurrë dhe s’ka nevojë për pushim.
Pastaj kemi ROV Hercules, që ka eksploruar anijen Titanik dhe ka dokumentuar të gjitha detajet e saj të fshehta. Dhe jo, nuk gjeti as Jack-un, as vendin ku Rose la atë gjysmën e derës. Por ama, ky robot gjen artefakte dhe ndihmon në pastrimin e oqeaneve – sepse kush ka kohë për plastikën, kur ka mistere nën ujë? Kjo teknologji nuk është thjesht për shkencëtarët – është për të gjithë ne që ëndërrojmë për një planet më të pastër.
Teknologjia e ushqimeve: Mishi artificial – Burgeri High-Tech
Imagjino të porosisësh një burger dhe kamerieri të thotë: “Do ta bëj me mish artificial” Jo, nuk është një shaka, është realitet! Kompani si Upside Foods (dikur Memphis Meats) dhe Mosa Meat po krijojnë mish artificial duke rritur qeliza muskulore në laborator. Po flasim për burgera që vijnë nga shkenca, jo nga fermat!
Si funksionon? Merret një mostër e vogël qelizash nga një kafshë (pa dhimbje), futet në një “inkubator” që i ushqen me proteina, dhe pastaj këto qeliza rriten në inde muskulore. Rezultati? Një biftek i plotë.
Eat Just ka prodhuar mish pule që është aprovuar për konsum në disa vende, ndërsa Future Meat premton ta ulë koston aq sa një pako patatinash. Përfitimet? Zero tokë e harxhuar për kullota, dhe po – mund ta hash biftekun duke ditur që je shpëtimtar i planetit. E ardhmja ka shije të mirë!